Qeveria e Kosovës ende nuk e ka aprovuar buxhetin e këtij viti. Zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Transfereve thonë se janë duke punuar në harmonizimin e buxhetit dhe këtë do ta bëjnë brenda afatit ligjor, në mënyrë që vendi mos të hyjë në krizë.
Kosova pati hyrë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar për shkak se në kohën kur ishte dashur të miratohet, Kosova nuk e kishte zgjedhur qeverinë e re e cila kishte dal nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.
Muharrem Shahini, drejtor në zyrën për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në përfundim e sipër të harmonizimit të buxhetit dhe se brenda këtë muaji do të jetë i gatshëm.
“Sa i përket buxhetit për vitin 2020, ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi bashkë me stafin e ministrisë është duke punuar intensivisht për harmonizimin e buxhetit në përputhje me programin e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, në mënyrë që sa më shpejtë të dërgohet në Qeveri për miratim dhe pastaj për aprovim në Kuvendin e Kosovës”, thotë Shahini.
Me autorizimet ligjore, Ministria e Financave e Qeverisë së kaluar pati bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e mjeteve për organizatat buxhetore për 2 muajt e parë të vitit 2020, ku i jepet mundësia për të vepruar me buxhet një e dymbëdhjeta e vitit paraprak.
Kurse për muajin mars, pas kërkesës së ministrit të Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar që ndarja buxhetore për vitin 2020 të zgjatet edhe për muajin mars.
Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020.
Buxheti i Kosovës në vitin 2019 ishte rreth 2.3 miliardë euro. Për vitin 2020, sipas Muharrem Shahinit, do të jetë më i lartë, por që ende nuk dihet vlera e saktë.
“Nga qeveria e kaluar ka qenë një draft ligj ku buxheti është menduar të jetë 2.4 miliardë euro. Tani Ministra e Financave bashkë me organizatat buxhetore tjera janë duke i shikuar mundësitë e rritjes, megjithatë mbetet të shihet sesa do të jetë kjo shifër”, thotë Shahini.
Qeveria në largim e Kosovës ka shpenzuar mbi 6 milionë euro, që ishin në Fondin rezervë të vendit.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tanimë ka premtuar që buxheti i Kosovës do të arrijë në vlerën 3 miliardë euro gjatë qeverisjes katër vjeçare.
Vonesat e krijuara në miratimin e buxhetit për vitin 2020, sipas përfaqësuesve të bizneseve kanë dëmtuar afaristët.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë për Radion Evropa e Lirë se asnjë projekt i ri kapital i qeverisë nuk ka mundur të fillojë së zbatuari për shkak të mungesës së miratimit të buxhetit me kohë dhe si pasojë edhe disa biznese kanë ndal së vepruari.
“Mosmiratimi i buxhetit nga Qeveria e Kosovës është pengesë e madhe dhe po promovon pasiguri për investime pasi që të gjitha projektet që është dashur të financohen janë ndalur dhe bizneset nuk investojnë në projekte të cilat në një mënyrë janë të ndërlidhura me buxhetin e shtetit. Gjithë kjo vonesë që po ndodh po promovon pa aftësi dhe pasiguri. Sa më shpejt që qeveria e re të miratojë buxhetin aq më shumë do të ketë mundësi për investime në projekte të ndryshme të cilat gjenerojnë edhe vende pune”, thotë ai.
Përgjatë viteve në qeveritë e kaluara, përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës ishte ndarë për projektet në infrastrukturë rrugore, siç kanë qenë autostrada që lidhi Kosovën me Shqipërinë dhe autostrada që lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Investime të shumta ishin përqendruar edhe në ndërtimin e rrugëve lokale e magjistrale.
Investimet e mëdha të bëra në infrastrukturë në vazhdimësi ishin kritikuar nga organizatat ekonomike, pasi që sipas tyre, ndonëse ndërtimi i rrugëve është i domosdoshëm nuk gjeneron vende të shumta të punës.
Qeveria e kaluar ishte kritikuar edhe për mungesë të menaxhimit të duhur të mjeteve buxhetore. /REL/