Qeveria e Kosovës ka konfirmuar të ketë ndarë 10 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike të qytetarëve serbë të veriut, sado që dy muaj më parë kishte mohuar ndarjen e këtyre mjeteve financiare.
Insajderi kishte raportuar në muajin shkurt të këtij viti se Ministria e Financave dhe Transfereve, e drejtuar nga Besnik Bislimi i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte propozuar t’i ndante miliona euro për serbët e veriut të Kosovës të cilët nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar.
Ministria e Financave kishte reaguar ndaj këtij lajmi në përpjekje për të arsyetuar veprimet e qeverisë, të cilat ranë ndesh me diskursin e Lëvizjes Vetëvendosje. Partia e Kurtit e kishte kundërshtuar ashpër ndarjen e mjeteve për rrymën e shpenzuar nga serbët e veriut nga qeveritë e kaluara.
Madje, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e kishte cilësuar si “padrejtësi” ndarjen e mjeteve për veriun edhe pasi ishte zgjedhur shef i ekzekutivit.
“Ne besojmë se është e padrejtë një gjë e tillë. Ka një dështim të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës edhe në këtë aspekt”, kishte pohuar Kurti, dy javë pasi ishte zgjedhur kryeministër. “Duhet ta shqyrtojmë me ministra tonë, posaçërisht ata që e kanë në portofolin e tyre energjinë. Që ta marrim një vendim që është sa më i drejt dhe sa më i dobishëm”.
Mirëpo, Qeveria Kurti ka konfirmuar sot se ka ndarë 10 milionë euro nga buxheti i shtetit për rrymën elektrike të shpenzuar nga serbët e veriut.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se humbjet e shkaktuara të energjisë elektrike nga mospagesa e serbëve në komunat veriore, do të vazhdojnë të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe për këtë Qeveria ka ndarë 10 milionë euro.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë një shumë prej 10 milionë eurosh, e cila shumë është siguruar për furnizimin me energji elektrike të veriut”, ka thënë Kryeziu, në një prononcim për KTV-në.
Banorët e katër komunave në veri të Kosovës, që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës nuk kanë paguar faturat e shpenzuar të energjisë elektrike, kurse këto borxhe deri në fund të vitit 2017 janë faturuar qytetarëve nga viset tjera të Kosovës.
Pas një vendimi të Gjykatës se Apelit të Kosovës më 2017 për të hequr koston e furnizimit të veriut nga faturat e energjisë elektrike të konsumatorët e pjesëve tjera, KOSTT-i është ballafaquar vazhdimisht me mungesë të mjeteve financiare shkaku i kësaj çështje.
Ky problem ndërlidhet edhe me moszbatimin e marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, i cili parashihte pavarësimin e KOSTT-it nga Operatori i Sistemit të Serbisë (EMS) – në mënyrë që të dy këta operatorë të transmisionit të fillojnë operimin si dy zona rregulluese të pavarura.
Moszbatimi i marrëveshjes nga pala serbe (EMS) detyronte KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve për furnizim me energji elektrike në komunat veriore të Kosovës, në mënyrë që ky problem të mos vazhdonte të shkaktonte devijime ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E).
Dy vjet më parë, më 2018, edhe qeveria e kaluar e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte ndarë një milion euro për KOSTT-in lidhur me mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike nga katër komunat veriore.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 8 milionë euro në vit, apo nëse llogaritet që nga përfundimi i luftës, janë rreth 140 milionë euro, që qytetarët e këtyre pjesëve kanë shpenzuar, kurse këtë vlerë e kanë paguar konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovë.
Mirëpo, javën e kaluar KOSTT-i ka arritur ta zgjidhë këtë problem.
Kosova, më 21 prill arriti marrëveshje me Rrjetin Evropian të Transmetuesve të Energjisë, gjë që nënkupton se është pavarësuar nga Serbia në aspektin e energjisë elektrike.