Dhjetëra plumba u gjetën brenda shtëpisë së Zeqir Bllacës, në lagjen “Bjanina”, të Gjilanit. Aty ndodhi një tragjedi të cilën dyshohet se e kreu ish-zyrtarja policore Valdetja, e bija e vetme e Zeqirit. Ajo, sipas organeve të hetuesisë, besohet se i vrau me armë zjarri të katër anëtarët e familjes së saj, e pastaj edhe veten. Gazeta Express disa ditë pas kësaj ngjarjeje të rëndë ju sjell detaje nga autopsia e bërë nga trupat e pesë anëtarëve të familjes Bllaca.
Në mëngjesin e 18 shkurtit një vrasje e rëndë tronditi Kosovën. Valdete Bllaca dyshohet se i vrau katër anëtarët e familjes së saj e pastaj veten. Motivet se përse nisi e gjithë kjo tragjedi, e cila besohet se u krye nga Valdetja, ende nuk dihen saktë. Por, ajo që dihet ishte se Valdetja kishte kryer më shumë se dhjetë seanca dëgjimore tek psikologu dhe se gjendja e saj emocionale nuk ishte e qëndrueshme.
Më 18 shkurt, derisa disa nga anëtarët e familjes Bllaca ishin në gjumë, Valdetja me armë në dorë dyshohet se e nisi veprimin, i cili përfundoi me tragjedi. Me një plumb në regjionin sipër veshit ajo e kishte vrarë vëllain e saj të vogël Fisnikun, i cili gjendej në gjumë në një paradhomë të shtëpisë së tyre në Bujaninë në Gjilanit.
E së paku gjashtë plumba të tjerë Valdetja besohet se i kishte shkrepur mbi trupin e vëllait të madh, Blerimit. Plumbin e parë, ajo ia dha atij fillimisht në korridorin e shtëpisë duke e ndjekur më pas në ambientet tjera për ta lënë kështu të vdekur pas shkrepjes së armës.
Derisa e kishte parë djalin e madh të shtrirë në tokë, Hanifja, nëna e Valdetes ishte përkulur pranë trupit të djalit të saj të madh. Por, në atë gjendje ajo dyshohet se u godit me dy plumba në regjionin e shpinës. Njëri me plagë dalëse mbi gjoks, tjetri në zonën e fytit.
Por, krimi nuk u ndal tek këto tri viktima. Ish-zyrtarja e policisë së Kosovës, Valdete Bllaca me tre plumba besohet se e vrau edhe babin e saj Zeqirin 70-vjeçar. Dy në gjoks e një në regjionin e kokës.
Pas gjithë kësaj tragjedie që besohet se ajo e kishte shkaktuar, Valdete Bllaca, në mesditën e 18 shkurtit doli disa orë nga shtëpia për t’u kthyer më pastaj duke e vrarë vetën me një plumb në ballë. Ndërkohë, një predhë asaj i është gjetur edhe në zogun e këmbës së djathtë.
E se i kishte lënë viktimat në shtëpi e që vet doli nga aty e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Gjilanit.
Zëdhënësja kësaj prokurorie, Liridona Xheladini ka deklaruar se zyrtarja policore Valdete Bllaca dyshohet se i kishte vrarë prindërit dhe dy vëllezërit në ora 7 e 40 në mëngjes, derisa jetës së saj i kishte dhënë fund tek pas katër orësh.
“Bazuar në kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me policinë e Kosovës është duke hetuar rastin, në të cilin dyshohet se zyrtarja policore, tani e ndjera V.B., në orët e para të mëngjesit rreth orës 7:40 minuta, të datës 18 shkurt 2020, me armë zjarri fillimisht kishte vrarë katër anëtarët e familjes së saj, kurse dyshohet se rreth orës 12:50 minuta, me të njëjtën armë kishte kryer aktin e vetëvrasjes”, ka thënë Xheladini për Express.
Megjithëse, raporti i forenzikës ende nuk është bërë gati nga ana e zyrtarëve të këtij institucioni. Në një përgjigje për Express Arben Gashi, Inspektor Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Forenzike ka thënë se “Ende nuk ka përfunduar asnjë ekspertizë lidhur me këtë rast”.
Megjithëkëtë, me hetimet janë duke i marrë policia dhe prokuroria e shtetit. Në këtë institucion e kishin konfirmuar se Bllaca ishte trajtuar në 14 seanca të ndryshme dëgjimore dhe këshilluese deri në fund të vitit 2019. Për herë të fundit, ajo kishte mbajtur trajtim në fillim të tetorit të vitit të kaluar, kur edhe ishte rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës dhe armës zyrtare.
“Trajtimin e fundit mjekësor psikologjik në klinikë e ka mbajtur me datën 03.10.2019, në të cilin trajtim gjithashtu është rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës, përfshirë edhe armën zyrtare për shkak të gjendjes së saj shëndetësore/psikologjike si dhe i është caktuar terapia përkatëse”, kishte njoftuar Policia.
Ndërkohë, ende askush nuk po e di se si arma ka mundur që të përfundojë në dorën e Valdete Ballcës. Ajo dyshohet se e ka tërhequr atë nga kasaforta ku ishte e vendosur në stacionin policor.
Për këtë rast, deri tani janë suspenduar katër zyrtarë policorë, me arsyetim se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.
Zyrtarët e suspenduar janë; komandanti i stacionit policor, zëvendës komandanti policor, shefi i operativë të stacionit policor dhe një zyrtar i stafit civil.
Emrat e të suspenduarve janë Alban Ramushi – komandant, Naser Rrahmani – zëvendës komandant, Negovan Mihaljovic dhe Xhavit Azizi. Ndryshe, Valdetja kishte qenë pjesë e Policisë së Kosovës për 18 vite. Ajo fillimisht kishte punuar në Qendrën e Thirrjeve në Prishtinë për t’u transferuar më pas në në Gjilan./Gazeta Express/