Aktualisht, depozitat e qytetarëve në sektorin bankar në Kosovë deri në fund të muajit prill, kanë arritur në gjithsej 4 miliardë e 776 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Nga e gjithë kjo vlerë kursimesh, 3 miliardë e 384 milionë janë depozita vetëm të ekonomive famljare, kurse 861.6 milionë depozita të korporatve jo financiare, dhe 209.9 të korporatave të tjera financiare.
Sipas raportit më të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), rreth “Informatave Mujore të Sistemit Financiar” për muajin prill 2022, depozitat e qytetarëve në valutat e tjera përveç euros, janë në vlerë të 202.8 milionë eurove.
Ndryshimi vjetor në depozita përgjatë kësaj periudhe ishte pasqyruar në një përqindje prej 8.6%, prej të cilave për ekonomitë familjare ishte 11.0%, kurse për korporatat jofinanciare 11.7%, për të vazhduar me ndryshimin tek depozitat e korporatave të tjera financiare me -13.7%.
Norma e interesit në depozita në fund të muajit prill ishte 1.7%, ku për ato familjare ishte 1.6%, ndërsa për korporatat jo financiare 1.7%.
Ndërkohë, dallimi i normës kredi-depozita ishte në një vlerë prej 4.2pp, gjatë kësaj kohe.
Aktualisht, sipas BQK-së, vlera e aseteve të sektorit bankar në vend, është gjithsej 5 miliardë e mbi 890 milionë euro.