Pas dy orësh ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesit e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku tha se në takim kanë biseduar gjatë dhe theksoi se ka mbetur që Kurti me shkrim t’ia dorëzojë propozimin e tij.
“Me kryeministrin nuk u dakroduam sepse ne kërkuam të kthehet pika 3.1 që e ka ndryshuar kjo Qeveri me Kuvendin e Kosovës që e kanë larguar beneficionin e veteranëve të luftës që me ligj nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale… Ne i thamë që pika 3.1 të kthehet dhe seanca që do të mbahen ne vazhdojmë protesta”, tha Klinaku.
“Nëse qeveria këtë e rregullon më mire atëherë është çështje e qeverisë që të kontribuojë më shumë. Mund ta bëni më mire se që ka qenë po jo ta largoni pikën 3.1… E presim çka po dorëzon me shkrim”, tha Klinaku.
Ai tha se edhe në ditën që thërrasin seancë për lexim të dytë të Projektligjit për Pagën Minimale do të mbajnë protestë.
Sipas tij, arsyetimet e kryeministrit për numrin e veteranëve janë të pabaza, pasi sipas tij me atë merret Gjykata e jo qeveria.