Klubi italian, Interi thuhet se ka refuzuar një ofertë të majme me para plus lojtar nga Paris Saint-Germain për mbrojtësin sllovak, Milan Skriniar.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, Interi ka refuzuar ofertën fillestare nga Paris Saint-Germain për Milan Skriniar e cila vlente 50 milionë euro.
Paris Saint-Germain gjithashtu dëshironte të përfshinte një lojtar në marrëveshje, por Interi nuk është i interesuar.
Emrat që janë ofruar nga kampioni i Ligue 1 thuhet se janë Julian Draxler apo edhe Thilo Kehrer.
Megjithatë, Interi ka qenë i qartë: 80 milionë euro është çmimi për ekipet që duan sllovakun Skriniar këtë verë.
Bisedimet thuhet se do të vazhdojnë dhe parisienët mund të rrisin ofertën dhe të ofrojnë emra tjerë si pjesë të marrëveshjes.
Në anën tjetër, është raportuar se Skriniar veçse ka arritur marrëveshje personale me PSG-në, ku do të fitonte 7.5 deri në 8 milionë euro në vit.