Vetëvendosje pëson rënie drastike, bie mbështetja në vetëm 30% – LDK me ngritje rapide

Pas një jave, Qeveria Kurti II mbush një vit e tre muaj prej kur u votua nga Kuvendi për të udhëhequr me vendin. Mbështetja që e solli në pushtet – e me këtë edhe legjitimiteti – duket se ka rënë drastikisht sipas matjeve të fundit kredibile, e të cilat janë parë edhe nga drejtuesit e Vetëvendosje.

Këto matje që janë bërë nga një organizatë ndërkombëtare dhe të cilat janë ndarë me gazetën Nacionale tregojnë për një rënie të mbështetjes në shifra marramendëse. Nga 50.2 për qind sa i fituan më 14 shkurt, në diçka më shumë se 30 për qind aktualisht, shkruan Nacionale.com

Rreth 170 mijë besues më pak

Në bazë të matjeve të bëra vetëm brenda komunitetit shqiptar, VV i merr jo më shumë se 34% të votave. Ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 24.2 për qind dhe PDK me 20.7 për qind. Ndërkohë, AAK arrin të ketë 6 për qind.

Nëse në ekuacion do të futeshin edhe komunitetet tjera, atëherë përqindja e secilës parti do të binte për 3 deri në 5 për qind, çka nënkupton se partia në pushtet është edhe më poshtë se sa që e thonë këto shifra.

Në zgjedhjet e fundit, kjo parti ka pasur mbi 400 mijë vota gjë që nënkupton se ka humbur mbështetjen e afërsisht 160 mijë deri në 170 mijë votave. 

Rritjen bindshëm më të madhe sipas kësaj matjeje e ka shënuar LDK-ja gati duke e dyfishuar rezultatin që e kishte në vitin 2021, çka përbën njëkohshëm edhe sinjal të mirë për opozitarizmin e bërë përgjatë kësaj kohe.

Në shifra thuajse të njëjta (17%) ka mbetur PDK-ja e udhëhequr nga Memli Krasniqi, ndërkohë që AAK-ja e Haradinajt rrezikon seriozisht të kalojë pragun.

Rritje domethënëse nuk ka shënuar as PSD-ja por as Lista Guxo.

Në anën tjetër, 11.5 për qind nuk kanë shprehur votën e tyre (refuzoj/pavendosur).

Arsyeja e rënies së VV-së

Matja e opinionit publik nga organizata ndërkombëtare në fjalë ka shtruar edhe një pyetje domethënëse që ilustron në mënyrë të qartë arsyen prapa rënies së mbështetjes për Vetëvendosjen: “Cilat janë çështjet që ju shqetësojnë më së shumti?”

 Shqetësimi më i madh i qytetarëve në këtë kohë të rritjes së çmimeve të produkteve esenciale ishte pikërisht rritja e çmimeve të produkteve (15.2 për qind). Në vend të tretë ishte rritja e çmimit të energjisë.

Ndërkohë, të pyetur se “si e vlerësonin punën e qeverisë në menaxhimin e rritjes së çmimeve?” vetëm 3.5 për qind prej tyre janë përgjigjur “shumë të mirë” derisa vetëm 8.8 për qind si “të mirë”.

Të dobët e kanë vlerësuar 34 për qind ndërsa shumë të dobët 38.8 për qind.

Qeveria Kurti nuk ka pasur asnjë përgjigje serioze në lidhje me ngritjen e çmimeve të produkteve esenciale në vendin tonë por arsye që mund të kenë shkaktuar këtë zemërim të votuesve të Vetëvendosjes mund të jenë skandalet e shumta korruptive, aferat ne punësime partiake dhe familjare, ritmi i ngadaltë në kryerjen e punëve dhe mungesa e vizionit.

Liderët

Pak shpresë për liderët që janë në pushtet jep matja e besimit sa i përket figurave politike. Nga  1 (aspak) e deri në 5 (besim i plotë) kanë vlerësuar pesë prej tyre: Vjosa Osmanin, Albin Kurtin, Lumir Abdixhikun, Memli Krasniqin dhe Ramush Haradinajn.

Megjithëse dallimet janë minimale mes katër të parëve, vendin kryesues e zë presidentja Vjosa Osmani (2.93) e pasuar nga Albin Kurti (2.81), ndërkohë që më së paku besim është dhënë për Ramush Haradinajn që ka marrë 1.88.