37 mijë persona, të regjistruar si veteranë, përfituan pension nga shteti në muajin mars të 2022-ës.
Veteranët luftëtarë morën nga 170 euro. E familjarët e veteranëve të vdekur nga 119 sosh.
Një kalkulim i thjeshtë matematikor, i bazuar në numrin total të veteranëve dhe pagesën prej 170 euro, tregon se shteti harxhon brenda një muaji 6.2 milionë euro për pensionet e kësaj kategorie. Nëse kjo shumëzohet edhe me 11 muaj të tjerë del se brenda një viti kalendarik afër 70 milionë euro nga kuleta e shtetit derdhën nëpër xhirollogaritë e veteranëve.
Vlera nuk mund të jetë gjithherë e saktë, meqë numri i veteranëve ndryshon vazhdimisht nga muaji në muaj.
Shuma mund të rritej akoma më shumë nëse Qeveria aktuale Kurti 2 do të fuste edhe veteranët në Projektligjin që parasheh ngritjen e pagës minimale në 250 euro neto.
Nga afër 70 milionë euro, shteti do të harxhonte mbi 100 milionë euro brenda 12 muajve për pensionet e veteranëve. Pra 30 milionë më tepër.
Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektligjin për ngritjen e pagës minimale. Qeveria thotë se nuk i përfshin në të veteranët pa u pastruar listat e këtyre të fundit.
Ish-prokurori Elez Blakaj që po hetonte lisat e veteranëve pretendonte se më shumë se 19,000 njerëz kanë arritur të mashtrojnë me vetëdije duke u regjistruar si veteranë lufte, në përpjekje për të arritur statusin e lakmuar të “luftëtarit të lirisë”.
Ish-Prokurori u largua nga Kosova për në Amerikë, për siç pretendonte kërcënimet e marra në lidhje me këtë rast.
Blakaj kishte kryer një hetim dyvjeçar, i cili u iniciua pasi qeveria publikoi një raport që listonte 46,230 individë që shërbyen si pjesë e forcës guerile në konfliktin e viteve 1998-1999 me forcat serbe./Front Online