Prodhimet kineze në tregun e telefonave të mençur në Rusi kanë shënuar rritje të madhe, pasi prodhuesit si Apple dhe Samsungu kanë ndaluar shitjet e reja në Rusi, me qëllim të rëndimit të ekonomisë ruse, njoftoi Reuters.
Prodhuesit kinezë si Xiaomi, Realme dhe Honor përbëjnë mbi 42 për qind të smartfonëve të Rusisë që nga maji i këtij viti, duke shënuar rritje për 16 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.
Samsungu ka humbur vendin si lider në treg me vetëm 14 për qind të pajisjeve të shitura, ndryshe nga viti i kaluar kur pati 28 për qind të të gjithë tregut, ndërsa shitjet e kompanisë Apple kanë rënë nga 12 në 9 për qind.
Apple dhe Samsung ndaluan shitjet e produkteve të reja në Rusi, pasi Moska zyrtare nisi pushtimin në Ukrainë në fund të shkurtit, ndërsa shitësit me pakicë kanë mundur të përdorin stoqet ekzistuese.