Shqipëria e vendosur të fillojë me fitore në Ligën e Kombeve

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, ka kërkuar maksimumin nga futbollistët për ta nisur mbar edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Shqipëria të hënën e luan në udhëtim ndaj Islandës ndeshjen e parë të grupit të dytë të Ligës B të Ligës së Kombeve. Ndeshja fillon në orën 20:45.

Reja në konferencë për media ka thënë se Shqipëria ka ngritje. Por ka theksuar se kuqezinjtë nuk janë favoritë në ndeshjen kundër Islandës.

“Islanda është një skuadër e fortë, pavarësisht zhvillimeve është një skuadër fizikisht shumë e fortë. Ka kryesore luftën në ajër dhe duhet të jemi të kujdesshëm në çdo detaj. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën, por nuk ka favorit. Në fushën e lojës duhet të bëjmë më të mirën”, ka thënë Reja në konferencën për media.

Shqipëria është dashur që më 2 qershor ta zhvillonte ndeshjen kundër Rusisë. Por Rusia u përjashtua për shkak të pushtimit të Ukrainës. Më 2 qershor Islanda luajti 2:2 në udhëtim me Izraelin.

Reja ka theksuar se Islanda ka ndërruar mënyrën e lojës.

“Ne duhet të japim më të mirën në fushë për të marrë një rezultat të mirë. Është shumë e rëndësishme që të gjitha mundësitë që krijojmë t’i finalizojmë. Kjo skuadër tashmë nuk luan me topa të gjatë, por djemtë e mbajnë topin, luajnë dhe nuk lëshojnë kollaj terren. Ne do të hyjmë të bëjmë më të mirën e mundshme. E them edhe njëherë që nuk ka favorit, por do të bëjmë më të mirën e mundshme”, është shprehur Reja.

Reja nuk ka komentuar mungesat që Shqipëria do t’i ketë në përballjen ndaj Islandës. Ai ka thënë se Shqipëria ka krijuar një skuadër me 24 lojtarë.

“Unë jam përpjekur të bëj një grup prej 24 a 25 lojtarësh që të jenë në nivel të lartë dhe ia kemi dalë. Mund të them që mungesa e këtyre lojtarëve ndihet, por kemi një grup të mirë që i zëvendëson. Nuk e kemi Uzunin, nuk e kemi Baren, por i kemi Abrashin, Asllanin, Bajramin dhe besoj që kemi një grup të mirë që nuk do na bëjnë ta ndiejmë mungesën e këtyre lojtarëve”, ka thënë Reja.

Përkrah Rejës në konferencë është paraqitur edhe kapiteni Etrit Berisha. Portieri Berisha është optimist se Shqipëria mund ta fitojë ndeshjen në Reykjavik.

“Kemi pasur kohë mjaftueshëm për t’u përgatitur për këtë ndeshje dhe besoj që jemi gati të bëjmë një ndeshje të bukur. Kemi treguar futboll të mirë edhe në ndeshjet e kaluara, përfshirë këtu edhe miqësoren ndaj Spanjës. Edhe nesër duhet të bëjmë një ndeshje të zgjuar, pasi kundërshtari është mirë fizikisht. Megjithatë, ne do të hyjmë në ndeshje për të fituar dhe për të shpresuar në një kualifikim në Evropian. Me siguri që këtu në shtëpi Islanda është gjithmonë e rrezikshme. Edhe në ndeshjen e fundit në Izrael ishte duke fituar, pasi ka cilësi. Megjithatë, ne do të shohim rrugën tonë, pasi jemi përgatitur dhe kemi kualitetin e duhur për të fituar”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se Shqipëria është kandidate për ta fituar grupin.

“Unë mendoj se edhe me Rusinë ishim kandidatë për të fituar grupin. Tani është e njëjta gjë dhe ne duhet jo vetëm të fitojmë grupin, por edhe të sigurojmë kualifikimin në Evropian. Çdo gjë tjetër do të jetë një dështim, pasi i kemi të gjitha mundësitë të luajmë një tjetër Evropian”, ka thënë Berisha.

Ndeshjen e dytë Shqipëria do ta luajë më 10 qershor kundër Izraelit në Tiranë.