Analist në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), Agron Demi ka thënë edhe pse kanë kaluar 30 për qind e mandatit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, ndryshimet e proklamuara nga kryeministri, nuk po vërehen.
Ai i është referuar disa rasteve kur dikasteret e Qeverisë po refuzojnë të kthejnë përgjigje.
“Jo, nuk po e vërejmë ndryshimin: Po bahen gati një muaj prej kur kam dorëzuar ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve në MINT dhe nuk kam marr asnjë përgjigje, e bashkë me mu përgjigje janë tu pritë së paku edhe 1.014 qytetarë tjerë; Parmbrëmë pashë një kronikë të KTV-së si gazetares i janë refuzuar gjashtë kërkesa për qasje në dokumente publike nga Ministria e Shëndetësisë; pra zyrtarët e kësaj qeverie nuk janë të interesuar as me i dërgu vetë në Prokurori keqpërdorimet, por as mos me ua leju gazetarëve hulumtimet”, ka shkruar Demi në Facebook.
Sipas Demit, gjendja me Ligjin për duhanin është edhe më keq, ndërsa gjendja vazhdon e njëjtë edhe për Inspektoratin e Punës.
Seancat e Kuvendit e komisioneve parlamentare prapë dështojnë në mungesë kuorumi, e ka projektligje që sillen në Kuvend qe 300 ditë; Bizneset vazhdojnë me u përballë me problemet e njëjta kur vjen puna e regjistrimit në ARBK; OJQ-të vazhdojnë me u përballë me probleme të njëjta kur vjen puna te kontakti me Departamentin e OJQ-ve”, ka shkruar tutje Demi.
Demi pati kritika edhe për largimin e e-kiosqeve nëpër komuna.
“Në kohën kur më së shumti na duhet aktivizimi i diplomacisë, ambasadat vazhdojnë me qëndru pa ambasadorë, aty ku ka ambasadorë vazhdojnë me qenë të nënpërfaqësuara me personel (duke filluar nga ajo në ShBA), e mos të flasim pastaj për lobimin për njohje të reja; projektet investive janë bllokuar, ngase OSHP vazhdon me qenë pa bord; në kohën kur po bëhet manipulimi më i madh me çmime, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës vazhdon me qenë pa drejtor e pa bord; gjendja me statistika vetëm është përkeqësuar. Kushdo që merret me interpretimin e të dhënave e di që sigurimi i të dhënave zyrtare është po aq e vështirë sa ka qenë, e ASK=ja nuk i publikon të dhënat e papunësisë qysh prej tremujorit të parë të 2021”, thuhet tutje në kritikat e renditura të Demit karshi Qeverisë.
Demi pyeti se kur kjo qeveri do të nisë të tregojë rezultate.
“Përshtypja ime është që kemi kalu prej qeverisjeve kaubojksi të cilat nuk qanin fare kokën për ligjet e procedurat që vetë i vendosnin, tek një qeverisje që nuk o ka mundet me nxjerrë kokën nga paraliza burokratike dhe me ja gjetë fillin qeverisjes”.