Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para udhëtimit për në Qipro, ku më 2 qershor do ta luajë ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kombeve. Duke pasur parasysh se në stërvitjen e djeshme u zhvillua edhe një ndeshje kontrolluese, përzgjedhësi Alain Giresse vendosi që seanca e sotme stërvitore të jetë më shumë rigjeneruese dhe relaksuese.
Pas stërvitjes Blendi Idrizi u shpreh optimist se ndeshjet e muajit qershor do t’i nisim me rezultat pozitiv. “Presim gjithqysh fitore kundër Qipros. Kemi stërvitur shumë mirë deri tash. Dje ishte stërvitja mjaft e mirë dhe intensive, derisa sot më shumë ishte rigjenerim. Presim që në Qipro të bëjmë një lojë shumë të mirë. Është loja e parë dhe duhet të fitojmë sepse është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë në ndeshjet e tjera”, ka theksuar Idrizi.
Shumica e lojtarëve kanë pasur një sezon shumë të mirë me klubet e tyre dhe ky fakt sipas Idrizit pritet të ndikojë edhe në ekipin kombëtar. “Forma e mirë e lojtarëve në klubet e tyre është shumë e rëndësishme sepse atë kualitet ata e sjellin edhe në kombëtare”, ka shtuar Idrizi, i cili pret që në dy ndeshjet në shtëpi kundër Greqisë dhe Irlandës së Veriut të kenë mbështetjen maksimale të tifozëve “Dardanët”.
E shumë të rëndësishme ndeshjen e parë në Qipro e vlerëson edhe Lirim Kastrati. “Pres rezultat pozitiv. Të gjithë jemi në formë të mirë, derisa kur je pjesë e ekipit kombëtar është një ndjenjë ndryshe. Besoj se do të japim maksimumin për t’i treguar vlerat e shtetit tonë”, ka thënë Kastrati.
Ai beson që Kosova mund të dalë e para e grupit në këtë edicion të Ligës së Kombeve. “Me punën serioze që jemi duke e bërë besoj se do të arrijmë sukses, ngase kemi kualitet dhe potencial”, ka shtuar ai. Edhe Kastrati pret që “Dardanët” t’i qëndrojnë përkrah Kombëtares dhe së bashku t’i gëzohen sukseseve të reja.
Ekspedita e Kombëtares niset për në Larnaca, të mërkurën në mëngjes.