Ambasada e Gjermanisë në Kosovë vazhdon të ketë fluks të madh të kërkesave për pajisje me viza pune nga kosovarët.
Si rrjedhojë e kërkesave të shumta ambasada gjermane muaj më parë ka bërë disa ndryshime për aplikim për tu pajisur me vizë pune.
Ambasada kishte njoftuar se në fillim të secilit muaj do të hapet dhe qëndrojë e hapur për 2 deri 3 javë një listë e regjistrimeve për termine për aplikim për vizë. Një praktikë e tillë është duke vazhduar tash e sa muaj.
Së fundmi ambasada ka njoftuar se lista e regjistrimeve për termine për muajin qershor është mbyllur, dhe se për muajin korrik do të hapet nesër më 01.06.2022.
“Lista e regjistrimeve për termine në qershor është mbyllur. Lista e regjistrimeve për termine në korrik do të hapet nga 01.06.2022 në orën 14:00 deri më 13.06.2022 në orën 14:00”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ambasada njofton se pas mbylljes së listës, nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit do të përzgjidhen ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm.
“Të gjitha regjistrimet e bëra në muajin përkatës marrin pjesë në procedurën e shortit, pavarësisht se kur janë bërë. Prandaj regjistrimet e bëra më herët, nuk kanë përparësi kundrejt regjistrimeve të bëra më vonë brenda kësaj periudhe”, thuhet në njoftim.
Ambasada gjermane njofton se regjistrimet e shumëfishta përjashtohen, dhe se ndryshimet e mëvonshme të të dhënave gjatë regjistrimit nuk janë të mundura.
“ Kalimi i një termini nga një person tek një tjetër nuk është i lejueshëm. Angazhimi i personave të tretë (p.sh. agjencioneve) nuk është i nevojshëm dhe nuk sjell asnjë përparësi. Ju lutemi regjistrohuni në procedurë vetë dhe në qetësi dhe keni kujdes patjetër shënimin e të dhënave të sakta”, thuhet mes tjerash në njoftim.