Shquhet si një frutë e shijshme dhe me shumë përfitime të dobishme. Fjala është për limonin të cilin mund ta gjeni në pemë në çdo kohë të vitit.
Ndryshe nga molla ose portokalli, njerëzit zakonisht hezitojnë ta kafshojnë ose thithin një fetë limoni, më shumë për shkak të shijes së thartë të kësaj frute. Megjithatë, ekzistojnë shumë mënyra tjera për ta përfshirë limonin në dietën tuaj të përditshme, të tilla si uji me limon, limonada e shtrydhur e freskët dhe recetat e ndryshme ushqimore me këtë frutë, raporton portali “Eat This, Not That”.
Rezulton se shtimi i limonit në dietën e përditshme mund të sjellë disa përfitime, sigurisht nëse konsumohet në moderim. Por nuk duhet harruar se efektet e kësaj frute të thartë mund të jenë pozitive dhe negative për trupin e njeriut.
Limoni mund ta përmirësojë imunitetin
Sipas dietologëve, vitamina C është një lëndë ushqyese thelbësore që ndihmon në mbrojtjen e sistemit imunitar, natyral dhe adaptiv, duke mbështetur funksione të ndryshme qelizore. Limonët janë një burim i pasur i vitaminës C që shquhet për faktin se mbron shëndetin e imunitetit.
Limoni e parandalon formimin e gurëve në veshka
Acidi citrik në limon mund të ndikojë në nivelet e tretësirave ujore ose të tretjeve të tjera të lëngshme në urinë, duke e zvogëluar mundësinë për zhvillimin e gurëve në veshka. Sipas gazetës “Harvard Health”, është konstatuar se limonët përmbajnë citrate, një kripë në acidin citrik. Kjo lidhet me kalciumin dhe ndihmon në pengimin e formimit të gurëve.
Limoni ndihmon me presionin e gjakut
Limoni e përmban një flavonoid të quajtur hesperidin, një kimikat bimor që zakonisht gjendet tek agrumet. Hesperidina mund të jetë e dobishme për problemet shëndetësore të enëve të gjakut, si hemorroidet, venat e zgjeruara dhe qarkullimi i dobët i gjakut. Potencialisht ndihmon enët e gjakut të funksionojnë më mirë, duke ndikuar në reduktimin e inflamacionit dhe ruajtjen e presionit të shëndetshëm të gjakut.
Limoni shkakton erozion të dhëmbëve
Edhe pse vjen me shumë përfitime, lëngu i limonit është acidik. Konsumimi i sasisë së madhe të këtij lëngu, me kalimin e kohës mund të shkaktojë prishje të smaltit të dhëmbëve. Limonët përmbajnë shumë acid, dhe aciditeti i tepërt në mund të çojë në gërryerje të dhëmbëve. Nëse jeni duke përjetuar dhimbje dhëmbi, veçanërisht kur hani, ose keni ndjeshmëri të dhëmbëve, atëherë mendoni ta zvogëloni konsumimin e limonit me ushqim apo në formë të pijes.