Vetëm Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë përfshirë në listën e 26 lojtarëve për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve që Zvicra do t’i luajë në muajin qershor.
Kapiteni Xhaka është pjesë e Arsenalit, ndërsa zëvendëskapiteni Shaqiri luan te Chicago Fire. Listën e lojtarëve përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin e ka bërë publike të martën.
Ndeshjen e parë të Grupi 2 të Ligës A të Ligës së Kombeve, Zvicra e luan në Pragë kundër Çekisë më 2 qershor.
Tri ditë më vonë, në Lisbonë përballet me Portugalinë, derisa më 9 dhe 12 qershor luan në Gjenevë ndaj Spanjës, përkatësisht Portugalisë.