Ushqimet e detit të të gjitha llojeve janë të mrekullueshme për shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme. Po në veçanti, janë të dobishme për shëndetin e trurit.
Sipas ekspertëve shëndetësorë, pothuajse 90 për qind e amerikanëve nuk e plotësojnë sasinë e rekomanduar të konsumimit të këtij ushqimi në javë.
Në përgjithësi, produktet e detit janë një kategori ushqimore e pasur me lëndë ushqyese që ofrojnë proteina, yndyra të shëndetshme, vitamina B dhe minerale, si zinku, hekuri dhe jodi. Kur vjen puna për ta ushqyer trurin dhe për ta mbajtur atë në formë, peshku më i mirë për t’u konsumuar është salmoni i egër, raporton portali “Eat This, Not That”.
Më shumë se gjysma e trurit të njeriut përbëhet nga yndyra, veçanërisht nga acidet yndyrore të pangopura omega-3. Rreth 90 për qind e yndyrës që përbën strukturën e trurit është në formën e acidit DHA. Salmoni është një burim i pasur i këtij acidi.
Gjithnjë e më shumë kërkime po bëhen për të kuptuar se si dieta mund ta ngadalësojë ose parandalojë humbjen e kujtesës.
Përveç ushqyerjes së trurit me burimet kryesore të acideve yndyrore omega-3, konsumimi i salmonit të egër mund të ndihmojë në prodhimin e një proteine të fuqishme të quajtur faktori neurotrofik, që rrjedh nga truri. Ky faktor ndihmon rritjen dhe mbijetesën e qelizave të trurit, dhe është një nga proteinat përgjegjëse për krijimin e qelizave të reja.
Për adhuruesit e salmonit, ky është një lajm i mrekullueshëm! Jo vetëm që mund ta shijoni një formë të shijshme proteine, por do të kujdeseni për trurin tuaj gjatë procesit. Për t’i parë përfitimet e konsumimit të salmonit, sigurohuni që ta konsumoni atë të paktën dy herë në javë, por ideale do të ishte ta konsumoni deri në tri herë në javë.