Dëmet për rreth pesë muaj ndalimi të veprimtarisë me kriptovaluta në Kosovë mund të kapin vlerën e rreth 80 milionë euro, ka bërë të ditur kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
I ftuar të hënën në emisionin SOT të KTV-së, Shahini, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndaluar prodhimin e kriptovalutave nuk ka qenë i drejtë, pasi sipas tij, shpenzimi i energjisë elektrike nuk ka qenë problem për këtë veprimtari ekonomike as në vendet tjera që kanë hasur të krizë energjetike.
Shahini ka thënë se tani me krizat tjera, duke përfshirë luftën në Ukrainë, humbja mund të jetë edhe më e madhe.
“Shpenzimi i energjisë elektrike nuk duhet të jetë problem për të ndaluar një veprimtari ekonomike as në kohë krize pasi ata kanë paguar, nëse nuk paguajnë energji, shteti nuk duhet të intervenojë, ka operatorë të licencuar për shpërndarjen e energjisë dhe ata duhet të merren me energjinë. Dëmet e këtyre pesë muajve, prej që është ndaluar aktiviteti, mund të kapin vlerën e rreth 80 milionëve. Në të gjitha shtetet e botës që ka pasur krizë energjetike, askund nuk është ndaluar, por janë tatimuar”, ka thënë ai.
Qeveria Kurti në fillim të këtij viti e ndaloi prodhimin e kriptovalutave me arsyetimin se shpenzojnë shumë energji, ndërkohë që vendi përballej me krizë energjetike. Po ashtu, konfiskoi shumë pajisje për prodhimin e kriptovalutave, kryesisht ato që ishin të kyçura në rrjet energjetik jashtëligjshëm.
Kryetari i AKB-së ka thënë se pritet që gjatë kësaj vere të fillojë rimëkëmbja ekonomike dhe ngritja e vlerës së kriptovalutës, derisa ka shtuar se tani janë kushtet e volitshme për ta zhvilluar këtë biznes, pasi energjia në Kosovë është më e lira në Ballkan pas vendimi të Gjykatës së Apelit për pezullimin e tarifave të reja të energjisë.
“Besojmë që kjo së paku të ndodhë gjatë verës, varësisht prej situatës ekonomike, politike e edhe të luftës që ka bërë që vlera e valutës të ulet, përfshirë edhe euron”, ka thënë ai.