Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me tri vite burgim deputeten e Vetëvendosjes, Jetmire Vrenezin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës, Vernezi atë kohë inspektore e ndërtimit së bashku me Islam Thaqin, ish-drejtor i Inspektoratit kanë rrënuar aneks-objektin e ‘Abi Çarshia’, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Ndërkaq, në rast se dënimi vërtetohet nga shkalla e dytë, deputetja Jetmire Vrenezi e humb mandatin.
Këtë e përcakton Neni 25 i Rregullores së Punës së Kuvendit.
Në nenin 25 pika d, thuhet se humbja e statusit të deputetit është kur dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një (1) e më shumë vjet, ndërkaq në pikën f. të nenit 25 thuhet se humbja e statusit të deputetit bëhet me vendim të formës së prerë të gjykatës nëse është konstatuar mungesa e aftësisë së tij juridike për të vepruar.
Urim Vokshi, avokat i deputetes Vernezi, ka thënë se është i zhgënjyer me vendimin e gjykatës.
“Në cilësi të avokatit theksoj se nga shkresat e lëndës dhe provat e administruara rrjedh se nuk janë plotësuar elementet e figurës së veprës penale në këtë rast. E njëjta është dënuar për nxjerrjen e një konkluzioni për rrënim të cilin ka pasur obligim ligjor ta nxjerrë si inspektore e lëndës”, shkroi ai në Facebook.
Tutje theksoi se “posa ta pranojmë vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren të njëjtin do ta atakojmë mbi bazën e argumenteve të qarta në Gjykatën e Apelit”.
Ndryshe, Vrenezi është zgjedhur deputete e Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës dhe është anëtare në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim