Thaçi në Hagë deklarohet i pafajshëm – thotë se nuk i ka kuptuar akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar për shkak të redaktimeve të shumta

Në Hagë ka nisur konferenca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas zgjerimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorisë Speciale.

Seanca ka filluar me prezantimin e palës mbrojtëse, si dhe përfaqësuesve të Prokurorisë dhe Gjykatës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi është duke e ndjekur këtë konferencë përmes lidhjes direkete, shkruan Telegrafi.

Gjykatësi Nicolas Guillou, ka pyetur ish-presidentin nëse e ka pranuar aktakuzën e ndryshuar me akuzat e reja dhe të konfirmuar, Thaçi është shprehur se po.

Pastaj gjykatësi ka pyetur sërish Thaçin nëse e i ka kuptuar akuzat e reja në aktakuzën e konfirmuar.

Ish-presidenti Hashim Thaçi ka thënë se nuk i ka kuptuar sepse s’ka mundur t’i lexoj për shkak të redaktuarave të shumta, derisa shton se është i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave që rëndojnë mbi të.

“Nuk i kam kuptuar për arsye se skam pasur mundësi ti lexoj sepse kanë qenë shumë të redaktuara. Deklarohem i pafajshëm edhe pse ende nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar”, ka thënë Thaçi.