Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Evropës duke thënë se Kosova qëndron e bashkuar me aleatët e saj në këtë kohë sfiduese.
Përmes një postimi në Twitter, Osmani gjithashtu ka bërë thirrje që BE-ja t’i japë fund siç shprehet ajo “4 viteve të mohimit të padrejtë dhe të papranueshëm të liberalizimit të vizave për Kosovën”.
“Si shteti më pro-evropian në botë, sot Kosova shënon Ditën e Evropës në mbarë vendin tonë. Ne qëndrojmë të bashkuar me aleatët tanë në këtë kohë sfiduese. Por ne gjithashtu bëjmë thirrje për t’i dhënë fund 4 viteve të mohimit të padrejtë dhe të papranueshëm të liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka shkruar Osmani.
Presidentja më tej ka theksuar se në këtë ditë mendojnë edhe për popullin e Ukrainës që po përballen me ferrin e agresionit rus.
“Për popullin e Kosovës, vlerat evropiane janë më shumë se fjalë, është një mënyrë jetese. Në këtë ditë ne mendojmë gjithashtu për njerëzit e Ukrainës të cilët vazhdojnë të përballen me ferrin përballë agresionit të paprovokuar rus. Kosova qëndron fort në anën e një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe”, ka shkruar Osmani.