Prokuroria Themelore në Pejë pritet që të premten të dërgojë kërkesën për paraburgim ndaj pesë të arrestuarve mbrëmjen e së enjtes për vrasjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri, në rrugën Klinë-Gjakovë.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi ka thënë për KOHËN se katër persona dyshohen për vrasje të rëndë e një për dhënie e ndihmës pas kryerjes së vrasjes.
Nga pesë të arrestuarit, katër janë vëllezër dhe tjetri është axha i tyre.
KOHA ka mësuar se dyshimet e para për motivet e vrasjes janë se pala e dëmtuar, ua ka rrahur vëllain të dyshuarve në Itali.
Vrasja dhe plagosja ka ndodhur të enjten në mbrëmje në rrugën Klinë – Gjakovë, në fshatin Volljakë, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Në orën 20:43, policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vendin e ngjarjes, është konstatuar se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, ka thënë Gashi.