Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit ta trajtojnë me urgjencë kërkesën për tërheqjen nga Trusti, siç thotë ai, për t’i ndihmuar qytetarët ta kalojnë këtë krizë ekonomike.
“Më 9 mars kemi marrë një iniciativë për ndryshimin e ligjit që t’i jepet mundësi qytetarëve për tërheqjen e një pjese të Trustit. Për fat të keq, Qeveria e ka neglizhuar këtë kërkesë të qytetarëve dhe ne ditën e fundit ka dhënë përgjigje negative, por i ka hapur rrugë Kuvendit të vendosë për këtë projektligj. Sot kam një apel dhe një kërkesë për të gjitha komisionet dhe kryesinë që këtë projektligj ta trajtojë dhe procedojë me urgjencë. Që në seancën tjetër të kemi mundësinë ta miratojmë”, ka thënë Haxhiu të enjten në seancën e Kuvendit.
Tërheqja e Trustit ka gjetur mbështetjen e partive opozitare. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë pro tërheqjes së re nga Trusti, ndërkohë pushteti e konsideron të dëmshme për ekonominë.
Qeveria më 21 prill kishte dalë kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti, pasi sipas saj, nuk i ndihmon kategoritë në nevojë.