Këshilltari politik i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e ka akuzuar Presidentin Thaçi, se po zhvillon takime në emër të Kosovës, pa mandat kushtetues.
“Kjo nuk është hera e parë që ai ikën fshehtas nga Kosova për takime të tilla pa mandat kushtetues, pa mandat që ja ka njohur Kuvendi”, ka thënë Haxhiu.
Këtë konstatim të saj, Behramaj e ka quajtur mjerim profesional, që tregon injorancë të thellë kushtetuese.
Për të qenë në shërbim të interesit të qytetarëve dhe për të rritur përgjegjësinë publike si institucione dhe politikanë, sipas Behramajt, këto dërdëllitje ministrash të papërvojë që po e kontaminojnë publikun, do të evitoheshin nëse këta unanimisht vendosin ta lexojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Nuk ka mjerim më të madh profesional se kur një politikane, që ka rastisur të jetë edhe Ministre e Drejtësisë, tregon injorancë kushtetuese dhe krekoset me thuthuqet e saj. E dhimbshme të shohësh nivelin e mediokritetit të Albulena Haxhiut, sipas të cilës, presidentit i duhet një mandat i njohur nga Kuvendi për të zhvilluar takime në emër të Kosovës. Madje, takime edhe në Shtëpinë e Bardhë. Në mungesë të këtij mandati të njohur nga Kuvendi, sepse Kushtetuta ia njeh, takimet qenkan demek antikushtetuese. Nëse një ditë nuk na befason edhe me ndonjë margaritar tjetër, ky aktualisht është kulmi i injorancës së saj. Pra, këta nuk u mjaftuan vetëm me skandalin e mëhershëm të letërkëmbimit me NATO-n, ku e nisën me interpretime amatore për shkelje kushtetuese dhe u tkurrën në fjalor anglisht-shqip kur u zgjuan nga llogoret e paditurisë, por paturpësisht edhe brenda institucioneve po vazhdojnë të mbështillen me lëvozhgën e opozitarizmit. Këta mund të vazhdojnë të sillen sa të duan si opozitarë të përjetshëm për shkaqe politike, por tash është koha kur duhet t’i marrin vendimet që partnerët strategjikë po i kërkojnë që shumë vite. Po ashtu, për të qenë në shërbim të interesit të qytetarëve dhe për të rritur përgjegjësinë publike si institucione dhe politikanë, këto dërdëllitje ministrash të papërvojë që po e kontaminojnë publikun, do të evitoheshin nëse këta unanimisht vendosin ta lexojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Të paktën kështu do të dukeshin më seriozë, sepse siç kanë nisur do të përrallosen më shpejt seç kanë pritur edhe ekstremistët e tyre më të mëdhenj”, ka shkruar Adil Behramaj në profilin e tij, në rrjetin social Facebook.