Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot në një konferencë të jashtëzakonshme ka bërë të ditur se sot në orën 7 e 40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, që kanë qenë duke shkuar për ta realizuar ndërrimin në pikat kufitare.
Ministri Sveçla tha se ky sulm ka ndodhur me granatë dore dhe AK 47, si akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policor por dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme, raporton Telegrafi.
Ministri Sveçla bëri të ditur se sulmi i parë ose tentim-sulmi i parë ka ndodhur nëpërmjet vendosjes së iriqëve metalik në rrugë në kohën përfaqësish të njëjtë me të sotmen me qëllim të pamundësohet puna e Policisë dhe të rrezikohet drejtpërdrejtë jeta e policisë.
Sulmi i dytë ka ndodhur duke e gjuajtur me gur Policinë e Kosovës, ndërkaq sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë ku në afërsi të punktit policor që bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale janë gjuajtur me armë zjarri.
“Dhe sot drejtpërdrejtë janë goditur dy vetura që transportonin zyrtarët policorë për në pikat kufitare”, tha ministri i Punëve të Brendshme.
“Tashmë po shihet se angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës dhe posaçërisht i Policisë që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë dhe grupe të caktuara që mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia”, tha ai, duke shtuar se këto sulme as nuk do t’i ndalin e as nuk do të frikësojnë.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se prej datës 13 prill deri sot kanë ndodhur katër sulme të sinkronizuara ndaj Policisë së Kosovës, në territore që janë afër me njëra tjetrën.
“Kjo na bën me dije se kemi të bëjmë me grup të organizuar”, tha Mehmeti, duke shtuar se dikujt po i pengon puna e Policisë së Kosovës dhe lufta kundër kontrabandës.
Drejtori i Policisë së Kosovës dha edhe detaje të sulmeve që kanë ndodhur.
Sulmi i parë ka ndodhur më 13.04.2022 rreth orës 07 e 30 në magjistralen Mitrovicë – Zubin Potok, ku patrulla e Policisë ka hasur në rrugë në iriqë metalikë që shërbejnë për dëmtimin e gomave të automjeteve. Aty ishin vendosur rreth 46 iriqë mes të rrugës dhe që mundësonin bllokimin e rrugës.
Sulmi i dytë ka ndodhur ka ndodhur të njëjtën ditë, rreth orës 21:45, ku Njësia e policisë kufitare duke u kthyer nga përfundimi i ndërrimit në afërsi të vendkalimit kufitar është sulmuar me gur.
Mehmeti bëri të ditur se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar, raporton Telegrafi.
Sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Bube rreth orës 20:40 ku janë dëgjuar katër-pesë breshëri, diku rreth 30 fishekë. Ai tha se dyshohet që të shtënat kanë ardhur nga territori i Republikës së Serbisë, ndërkaq përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.
Drejtori i Policisë njoftoi se gjuajta ka ndodhur diku në distancë 200-300 metra afër patrullës që ka qenë e vendosur në fshatin Bube. Ai tha se kjo rrugë ilegale ishte mbyllur para një kohe e që është përdorur për kontrabandë dhe aktivitete kriminale.
Ndërkaq, sulmi i katërt ka ndodhur sot në mëngjes, rreth orës 07:40.
Ai tha se janë sulmuar drejtpërdrejtë patrullat e policisë kufitare. Sulmi është kryer me grantë dore dhe AK 47. Të dy veturat e blinduara të policisë janë dëmtuar, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.
Drejtori i Policisë po ashtu njoftoi se Njësitë relevante janë duke hetuar vendin e ngjarjes së bashku me Prokurorinë.