Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, në një konferencë për media ka shprehur sot shqetësimin lidhur me mënyrën e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë nga Qeveria Kurti.
Kabashi-Ramaj tha se ky dokument me rëndësi të jashtëzakonshme për konsolidimin e sektorit të sigurisë në vend, ka shumë mangësi dhe duhet rishkruar.
“Dokumentit i mungon vizioni dhe qartësia se ku do të shkojë në 10 vitet e ardhshme dhe si. Dokumenti tregon shenja të qarta të mungesës së memories institucionale dhe informacionit të përditësuar, gjë që nënkupton mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse të qeverisë ndaj procesit të hartimit dhe rrjedhimisht një mospërfillje të Udhëzuesit për Hartimin e Dokumenteve Strategjike.”, theksoi ajo.
Kabashi- Ramaj tha se ky dokument tregon një mungesë serioze njohurish mbi temat që mbulon, si siguria njerëzore, mungesa e të kuptuarit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në terma moderne përballë një aparati kompleks kërcënimesh dhe rreziqesh.
Duke pasur parasysh buxhetin e Kosovës, ajo tha se financimi i sektorit të mbrojtjes duhet të planifikohet mirë e të jetë i qëndrueshëm, dhe jo siç ishte kërkesa për fonde direkte nga qytetarët.
“Qeveria Kurti, duke mos pasur program fare për sigurinë, nuk ka si të ketë përputhje me prioritete për këtë sektor.”, shtoi ajo.
PDK e sheh si obligim t’i bëj publike vërejtjet e veta për këtë dokument strategjik dhe shpreson që ato të merren parasysh nga hartuesit e saj, në mënyrë që strategjia të jetë e kompletuar.
“Strategjia Kombëtare e Sigurisë nuk është një dokument që duhet përfunduar, e lënë në sirtar. Prandaj, një strategji pa vizion mbetet thjeshtë një dokument por jo një hartë që mund të zbatohet, duke forcuar sigurinë e Republikës së Kosovës. Ky është dokumenti më i rëndësishëm në hapjen e rrugës drejt konsolidimit të sektorit të sigurisë ne vend, dhe mbrojtjes së vendit e qytetarëve tanë. Qeveria aktuale duhet ta trajtojë me seriozitetin që e meriton. Në këtë aspekt, PDK fton qeverinë që të marrë parasysh rekomandimet e dhëna. PDK gjithashtu shprehë gatishmëri t’i vë në dispozicion të gjitha kapacitetet që ka në këtë fushë, për të arritur deri te një Strategji Kombëtare e cila realisht kontribuon në ngritjen e nivelit të sigurisë në vend dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë.”, shtoi Kabashi- Ramaj.
Për të korrigjuar problematikat që ka Strategjia Kombëtare e Sigurisë, PDK rekomandon që Qeveria bashkë me Zyrën për Planifikim Strategjik dhe Sekretariatin e Këshillit të Sigurisë të rishikojnë të gjithë procesin e hartimit të këtij dokumenti; të bëjë një analizë të kujdesshme të implikimeve financiare; ta hartojë përsëri këtë strategji bazuar në informacionin e përditësuar mbi kërcënimet dhe rreziqet që mund t’i vijnë Kosovës; si dhe të krijojë një plan strategjik komunikimi.