Në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca ku po debatohet për politikën e jashtme.
Pas fjalës së kryeministrit Albin Kurti i cili tha se kanë nënshkruar 85 marrëveshje ndërkombëtare dhe teknike si dhe kanë nisur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtete të reja, pati një replikë nga nënkryetari i Kuvendit nga PDK, Enver Hoxhaj.
Hoxhaj tha se kryeministri i cili ka fituar zgjedhjet me 50% dhe çdo ditë në media ndërkombëtare flet për ndryshimin e madh gjeopolitik që po ndodh, me dal këtu në Kuvend me u marr me agrimane dhe trajnime
“Nuk mundet Kryeministri ma shpesh ta takon presidentin e Bosnjës sesa të Sllovenisë e Kroacisë. Ma shpesh Greqinë për çka e përshëndes sesa Shqipërinë. Nuk e kemi ftuar këtë debat për ta mundur z.Kurti se ai i ka fituar zgjedhjet vitin e kaluar por ky shkurt është tjetër”, ka thënë Hoxhaj, transmeton Telegrafi.
Hoxhaj ka pyetur kryeministrin Kurti që të tregoj data konkrete se çfarë do të bëjë për anëtarësimin në NATO, Këshillin e Evropës me pesë vendet e BE-së dhe Kartën e Adriatikut.
“Meqë ka ndodhur një zhvendosje e madhe ndërkombëtare e cila mund të jetë mundësi e madhe për Kosovën, ne e kemi ftuar kryeministrin që të na tregoj se çfarë do të bëjë në këtë mundësi të madhe. Te myslimanet kësaj i thonë u hap qielli, dhe ka mundësi që qielli u hap. Krishterët thonë me u kryqëzua yjet. Prandaj ju kisha ftu që për këto tema të debatojmë, politika e jashtme buron nga karakteri i vendit dhe identiteti, por pa yll polar nuk ka politikë të jashtme”, tha Hoxhaj.
Nënkryetari i Kuvendit shtoi se është mirë që kryeministri të tregoi për vitin 2025 si do ta ri-pozicionoi Kosovën.
“E ftoj kryeministrin që jo për këtë vit por për 2025 të na tregoj sesi do me ri-pozicionu Kosovën është si me pas një program të ri të Iphone, ajo çka tha kryeministri është Nokia”, tha Hoxhaj.
Pas kësaj reagoi kryeparlamentari Glauk Konjufca duke thënë në formë batute se “kujdes se Nokia i ka do modele të reja”.
Përgjigje për këto kritika të Hoxhajt pati edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai tha se qeveria ka kthyer dinjitetin në përfaqësim jashtë vendit.
“Ne konsiderojmë që barazia, arrihet përmjet përfaqësimit të dinjitetshëm. Orientimet tona gjeopolitike tashmë dihen. Sa për atë u hap qielli a u mbyll qielli a ylli polar unë ato nuk di, por e ftoj profesorin Jahja Kokaj që të përgjigjet”, u shpreh Kurti.