Mungesa e gjumit rrit yndyrën e pashëndetshme në bark

Hulumtimet e reja të kryera nga “Mayo Clinic”, tregojnë se mungesa e gjumit të mjaftueshëm e kombinuar me qasjen e lirë në ushqim, rrit konsumin e kalorive dhe rrjedhimisht akumulimin e yndyrës, veçanërisht yndyrën e pashëndetshme brenda barkut, raportoi të hënën portali “SciTechDaily”.

Gjetjet e studimit të udhëhequr nga, Naima Covassin, studiuese e mjekësisë kardiovaskulare në klinikën “Mayo”, tregojnë se mungesa e gjumit të mjaftueshëm çoi në një rritje prej 9 për qind të yndyrës në sipërfaqen totale të barkut, dhe një rritje prej 11 për qind në organet e brendshme të barkut.

Yndyra viscerale depozitohet thellë brenda barkut rreth organeve të brendshme. Është lloji i yndyrës për të cilin duhet shqetësuar pasi është i lidhur me një sërë çështjesh shëndetësore, si rezistenca ndaj insulinës, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe një rrezik në rritje për kancer.

Mungesa e gjumit të mjaftueshëm është shpesh një veprim zgjedhjeje, dhe po bëhet gjithnjë e më i përhapur. Më shumë se një e treta e të rriturve në SHBA, në mënyrë rutinore, nuk flenë mjaftueshëm. Kjo ndodhë pjesërisht për shkak të punës me turne, por edhe për shkak të pajisjeve inteligjente dhe rrjeteve sociale që përdoren gjatë kohës kur njerëzit duhet të bëjnë gjumë. Gjithashtu, njerëzit priren të hanë më shumë gjatë orëve më të vona, pa e rritur aktivitetin fizik.

Ndërhyrjet në këto shprehi të dëmshme, si për shembull duke bërë më shumë ushtrime fizike dhe zgjedhje më të shëndetshme të ushqimit, duhet të merren parasysh për njerëzit që nuk mund ta shmangin lehtësisht ndërprerjen e gjumit, siç janë punëtorët me turne.

Nevojiten më shumë studime për të përcaktuar se si këto gjetje lidhen me njerëzit në rrezik më të lartë, siç janë ata që tashmë janë obezë ose kanë sindromë metabolike apo diabet.