Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës. Gjykata ka theksuar se MASHTI-i përmes vendimit “ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore”.
Gjykata theksoi tutje se ofrimi i arsimit publik bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje lokale është kompetencë vetanake e komunës dhe se këto kompetenca “janë të plota dhe ekskluzive”, dhe se në rolin e saj inspektues, të përcaktuar me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, MASHTI “mund të kërkojë zbatimin e mësimit shtesë ose alternativ” nëse vërehet mangësi në zbatimin e kurrikulumit. Por, gjykata shpjegon se në rastin konkret, MASHTI duke nxjerrë vendim konkret kishte organizuar mësim alternativ në pesë shkolla në Kamenicë, shkolla që paraprakisht kryetari i atëhershëm i komunës, Qendron Kastrati, i kishte riorganizuar përmes vendimeve si pjesë e reformës së tij.
Rasti ndërlidhej me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës më 2019, që ishte iniciuar përmes vendimet të kryetarit të komunës (Qendron Kastrati) me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore. Por, me pakënaqësinë e disa prindërve të nxënësve të afektuar që refuzuan zbatimin e vendimeve të komunës, më 2021 MASHTI formoi një komision për vlerësimin e mosvijueshmërisë së mësimit nga ana e 441 nxënësve, ku kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duhet: (i) ndërmarrin veprime të harmonizuara; dhe (ii) të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla.
Megjithatë, MASHTI, nxjerri Vendimin e kontestuar, bazuar në të cilin organizoi “mësimin alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”. Vendimin e kontestoi Komuna e Kamenicës duke pretenduar se ministria kishte ndërhyrë në kompetencat vetanake të komunës.
Gjykata më pas, më 8 prill 2022, doli me vlerësim prej disa pikash prej të cilave thuhej se organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj, se komunat kanë kompetenca vetanake dhe se rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutën dhe ligjin.
Në vazhdim, Gjykata theksoi nenin 17 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale sipas të cilit komunat kanë kompetenca “të plota dhe ekskluzive” në ofrimin e arsimit publik, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, etj.