Rusia tërhiqet tërësisht nga Kievi e Chernihivi, sipas SHBA-së

Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së kanë thënë se tërheqja e Rusisë nga rajonet e Kievit dhe Chernihivit tashmë ka përfunduar, shkruan BBC të enjten.

“Forcat ruse pranë Kievit dhe Chernihivit kanë përfunduar tërheqjen e tyre nga zona për t’u rikonsoliduar në Bjellorusi dhe Rusi”, u tha gazetarëve të mërkurën një zyrtar i Pentagonit.

“Vladimir Putin ka arritur zero nga qëllimet e tij strategjike. Ai po merr kontrollin e një qendre të vogël popullsie, por nuk e kanë marrë Kharkivin”, ka thënë ky zyrtar.

Tërheqja e tërësishme vjen disa ditë pasi Rusia njoftoi se do të përqendrojë përpjekjet e saj në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës.

Një zyrtar i lartë i Pentagonit, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë se trupat ruse mund të kthehen në Kiev në të ardhmen dhe se mbetet e paqartë nëse trupat që tërhiqen do të kthehen.

Sipas Institutit për Studimin e Luftës, njësitë ruse që tërhiqen nga rrethi i Kievit nuk kanë gjasa të “rifitojnë efektivitetin luftarak për ca kohë”.