10 vrasjet më të rënda në Kosovë për të cilat drejtësia nuk po mund t’i gjejë fajtorët


Rritja e numrit të vrasjeve në Kosovë po krijon një ambient të pasigurt për qytetarët e saj, e kjo pasiguri sa vjen e rritet kur kryerësit e vrasjeve nuk mbahen përgjegjës për vrasjet e kryera apo kur dënimi i kryerësve të vrasjeve po merr vite të tëra deri në një epilog final.

Mos trajtimi adekuat i këtyre rasteve dhe brenda një afati optimal po shkakton konsekuenca negative jo vetëm te familjarët e viktimave nga këto procese por edhe te të gjithë qytetarët, e cila situatë po ndikon negativisht në besimin e tyre në sistemin e drejtësisë, por edhe në jetesën e tyre në një ambient të qetë e të sigurt.https://c754ceb5351b90664a8fa5b9fec3ec69.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html

Trajtimi joadekuat i rasteve të vrasjeve konsiston kryesisht në shkeljen e dispozitave ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale, fakt ky i cili bën që rastet të kthehen vazhdimisht në rigjykim, apo edhe të pamundësohet zbardhja e së vërtetës në raste të caktuara për shkak të mungesës së profesionalizmit gjatë hetimit të këtyre vrasjeve.

IKD që nga vitit 2015, monitoron në mënyrë sistematike sistemin e drejtësisë, dukë përfshirë edhe monitorimin e rasteve të vrasjeve.

Nga ky monitorim në vijim të këtij shkrimi do të paraqiten 10 vrasjet, shumica nga të cilat edhe pse janë kryer para shumë kohësh, akoma nuk kanë marrë një aktgjykim përfundimtar ku për disa prej tyre kjo nuk është arritur as pas gjashtë aktgjykimesh të të gjitha shkallëve gjyqësore.

Nga analizimi i këtyre rasteve janë paraqitur 10 vrasje te të cilat përpos procedurës së gjatë në gjykata edhe për nga forma e tyre e kryerjes janë më karakteristike. Disa nga këto vrasje janë kryer në mënyrë mizore si vrasje duke e fshehur në mal viktimën, vrasje me çekiç, me sëpatë, vrasje duke djegur trupin e viktimave, vrasje të familjarëve apo vrasje e kryer në qendër të kryeqytetit, në Prishtinë.

1. Vrasja e Donjeta Pajazitaj në malet e Strellcit

Donjeta Pajazitaj në vitin 2015 ishte privuar nga jeta në bjeshkët e Strellcit në mënyrë mizore të cilën vrasje pretendohet se e ka kryer kushëriri i saj Naser Pajazitaj.

Lidhur me këtë rast deri më tani janë shpallur gjashtë aktgjykime ( tri nga shkalla e parë, dy nga Gjykata e Apelit dhe një nga Gjykata Supreme), mirëpo procesi për këtë rast akoma nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Prokuroria: Donjeta Pajazitaj ishte vrarë me dy plumba në kokë dhe trupi i saj ishte fshehur

Prokuroria Themelore në Pejë më 8 qershor 2017 kishte ngritur aktakuzë për vrasje të rëndë ndaj Naser Pajazitaj. Sipas kësaj aktakuze ai dyshohet se e kishte marrë viktimën me veturë në fshatin Strellc, e kishte dërguar atë në malet e Strellcit, e kishte vrarë me dy plumba dhe për të humbur gjurmët, trupin e saj e kishte mbuluar me disa drunjë.

Familja e Donjeta Pajazitaj lajmin për vdekjen e saj e kishin marrë vetëm pas më shumë se një muaji kur trupin e saj e kishin gjetur disa kalimtarë të rastit.https://c754ceb5351b90664a8fa5b9fec3ec69.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”

Gjashtë aktgykime me lirim, dënim të përjetshëm dhe rigjykim ndaj Naser Pajazitaj.

Pavarësisht se nga fillimi i procesi i gjyqësorit e deri më tani për këtë gjykata ka vendosur në 6 vendime të ndryshme, Pajazitaj vazhdon akoma ta ketë statusin e personit të akuzuar, kjo ngase të gjitha vendimet e shkallës së parë ndaj tij janë prishur nga shkallët më të larta.

Aktgjykimi i parë ishte marrë nga Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018. Kjo gjykatë kishte konstatuar se ndaj Naser Pajazitaj, nuk kishte prova me të cilat dëshmohej se aj është fajtor për veprat penale për të cilat është akuzuar dhe në këtë mënyrë ndaj tij ishte shpallur aktgjykim lirues.

Kundër këtij vendimi kishte parashtruar ankesë Prokuroria e cila ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit duke prishur kështu aktgjykimin e Gjykatës së Pejës dhe duke kthyer lëndën në rigjykim.

Pasi lënda ishte kthyer në rigjykim Gjykata Themelore në Pejë, me provat e administruara në Gjykatë kishte konstatuar se Naser Pajazitaj është fajtor për akuzat ndaj tij duke e dënuar atë me dënimin më të lartë në Kosovë, pra dënim me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.

Pavarësisht se me aktgjykimet e dy instancave gjyqësore Naser Pajazitaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm, pasi lënda kishte shkuar në Gjykatën Supreme kjo e fundit kishte konstatuar shkelje të ligjit në këto dy aktgjykime dhe lëndën e kishte kthyer përsëri në Gjykatën Themelore në Pejë.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, me arsyetimin e mënjanimit të dyshimeve ndaj sistemit të drejtësisë, Gjykata Themelore në Pejë me vendim të Gjykatës së Apelit ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në kompetencë, Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Ashtu siç kishte vepruar më herët Gjykata në Pejë dhe ajo e Apelit edhe Gjykata Themelore në Ferizaj, pas rigjykimit të tretë të këtij rasti, më 27 maj 2021, e kishte shpallur fajtor Naser Pajazitajn, dhe e kishte dënuar atë me burgim të përjetshëm.

As ky aktgjykim sikurse aktgjykimet e tjera në këtë rast nuk arriti ta marrë formën e prerë, kjo ngase pasi që i akuzuari kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, e njëjta kishte vendosur që çështja përsëri të kthehej në rigjykim.

Ky proces i rigjykimit do të jetë hera e katërt kur shkalla e parë do të gjykoj këtë rast, mirëpo pa filluar akoma ky proces mbrojtësi i Naser Pajazitaj, ka kërkuar nga Apeli që të përjashtohet edhe Gjykata e Ferizajt nga trajtimi i këtij rasti.

2. Vrasja në “BON VIVANT”

Vrasja e cila kishte tronditur qendrën e kryeqytetit në vitin 2014, ku ishte vrarë sigurimi i njërit prej lokaleve më të frekuentuara në qendër të Prishtinës, ka mbetur akoma pa epilog.

Aktakuza: Vrasja erdhi pasi punëtori i sigurimit të Bon Vivantit njoftoi klientët se tavolina është e rezervuar

Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 korrik 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj dy personave të cilët i mbante përgjegjës për vrasjen e të ndjerit Rrahman Uka, duke i ngarkuar ata me veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, si dhe secilin veç e veç për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Sipas Prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, pasi kishin shkuar në lokalin “Bon Vivant” menaxheri i lokalit Ilir Misini i kishte pyetur ata se a kishin rezervuar tavolinë, ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim” dhe kishin vazhduar të ulen në terrasë, në pjesën e pasme të lokalit.

Sipas aktakuzës, menaxheri i lokalit i kishte thënë të ndjeri Uka që t’i largojë nga lokali të pandehurit, pasi të njëjtit nuk kishin rezervim, dhe sapo i ndjeri Uka hyn në sallën e lokalit, të pandehurit ishin ngritur nga tavolina dhe kishin shkuar në drejtim të tij duke e sulmuar me grushte.

Me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gërdovci kishte nxjerrë revolën nga çanta e tij duke shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditejeve i cili me t’u ngritur në këmbë ishte nisur në drejtim të pandehurëve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi kishte marrë revolen nga Masar Gerdoci dhe kishte shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me c’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra, ndërorn jetë në QKUK.

Zhdukja e armës si provë kryesore nga Prokuroria

Edhe pse arma me të cilën pretendohet se është kryer vrasja, llogaritet provë kryesore në procurë gjyqësore, e njëjta çuditërisht është asgjësuar pa u përmbyllur gjykimi pikërisht nga organi i akuzës. Arma, sipas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ishte tre muaj para ngritjes së aktakuzës. Madje, kjo ishte bërë pa u kryer ekzaminimi laboratorik i forenzikës dhe kur gjykata kishte kërkuar marrjen e gjurmëve të vijave papilare dhe ekzaminimeve të nevojshme me të cilat do të vërtetohej se cili nga të akuzuarit kishte shtënë në drejtim të të ndjerit.

Pesë aktgjykime të pamjaftueshme për të gjetur fajtorin e vrasjes të rojës së sigurimit

Lidhur me këto akuza, Aktgjykimi i parë ishte marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të vitit 2019 e cila kishte shpallur fajtor Masar Gërdovcin për vrasjen e të ndjerit Uka duke e dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim..

Kurse, Sherif Krasniqi, ishte shpallur fajtor për “pjesëmarrje në rrahje”, pasi ndaj tij është bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje, i njëjti ishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje, pasi që sipas gjykatës nuk ishte provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale. Krasniqi për veprën penale të “pjesëmarrjes në rrahje”, ishte dënuar me 4 vjet e tre muaj burg ndonëse sipas KPRK-së, kjo vepër penale është e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Pas ankesave të bëra në Apel nga prokuroria dhe mbrojtja, Gjykata e Apelit lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 dhjetor 2020 kishte marr aktgjykim me të cilin i akuzuari Gërdovci është dënuar me 18 vite burgim për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, ndërsa të njëjtit gjykata i ka shqiptuar edhe 1,500 euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Ndërsa, për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, të akuzuarit Krasniqi, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vitesh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ky aktgjykim ishte atakuar sërish në Gjykatën e Apelit ku nga e njëjta ishte aprovuar ankesa e Prokurorisë dhe dënimi ndaj të akuzuarit Krasniqi e kishte ashpërsuar në 8 vite burgim, deri sa pjesa tjetër e aktgjykimit kishte mbetur e pandryshuar.

Por që Gjykata Supreme e kishte kthyer rastin sërish në rigjykim. Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë duhet të marrë parasysh veprimet me të cilat të dënuarit ngarkohen dhe të vërtetojë se cilat veprime i ka ndërmarrë secili prej të akuzuarve, si dhe në çfarë mënyre manifestohet bashkëkryerja e tyre dhe dashja e përbashkët për privimin nga jeta të të ndjerit Rrahman Uka.

Ndërsa, më 4 mars 2022 pas gati 7 viteve, në procesin e tretë të gjykimit nga shkalla e parë është ndryshuar aktakuza në rastin e vrasjes në lokalin “Bon Vivant” ku sipas prokurorit Armend Hamiti, nuk është Sherif Krasniqi ai që ka privuar nga jeta të ndjerin siç përshkruhet në aktakuzën e vitit 2015, por Masar Gërdovci. Mirëpo sipas kësaj Prokurorie të dy mbesin të akuzuar për privim nga jeta e të ndjerit.

Rasti aktualisht është në proces gjyqësor.

3. Rasti i vrasjes me “Çekiç”

Ngjarja makabër në të cilën i ndjeri Naim Hajrizi ishte privuar nga jeta në mënyrë barbare, kishte ndodhur me qëllim të përfitimit pasuror nga ana e dorasëve.

I ndjeri fillimisht ishte goditur me mjete të forta në kokë, deri sa kishte ndërruar jetë. Më pas trupi i tij ishte dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe me qëllim të fshehjes së gjurmëve, trupi i tij ishte djegur.

Dyshohet se i njëjti ishte vrarë me një “çekiç”, dhe për këto arsye ky rast njihet me këtë emërtim.

Prokuroria: Viktima është rrëmbyer, është vrarë, është djegur dhe më pas trupi i tij është fshehur

Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2010 kishte ngritur aktakuzë me të cilën Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun i ngarkonte me veprën penale të vrasjes së rëndë. Sipas kësaj aktakuze, ata e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, me qëllim që ta privojnë nga jeta.

Lidhur me këtë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e Naim Hajrizit, i kishte shqiptuar dy të akuzuarve një dënim prej 60 vitesh burgim. Retkoceri dhe Spahiu për këtë vrasje ishin dënuar me nga 30 vite burgim.

Por ky vendim i Gjykatës Themelore ishte anuluar nga Gjykata e Apelit, e cila në vitit 2016 rastin e kishte kthyer në rigjykim. Gjatë rigjykimit, i akuzuari Ratkoceri, kishte deklaruar se më 17 maj 2017, i akuzuari tjetër Osman Spahiu, në emër të avokatëve të tij, Ramë Dreshaj dhe Hedije Ademi, i kishte kërkuar atij 50 mijë euro, me qëllimin që prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu të tërhiqej nga aktakuza.

Në janar të vitit 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë të akuzuarin për vrasje të rëndë, Gëzim Retkoceri, sërish e kishte dënuar me 30 vjet burgim, pasi e kishte shpallur fajtor për vrasjen e të ndjerit Hajrizi në vitin 2009, në Lipjan.

Ndërsa, 10 vite pas ngjarjes së përshkruar në aktakuzë edhe i akuzuari Osman Spahiu kishte pranuar fajësinë, por kjo kishte ndodhur pasi që prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu, në fjalën përfundimtare, e kishte rikualifikuar veprën penale ndaj tij, nga “vrasje e rëndë”, në “dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale”, ku Spahiu ishte shpallur fajtor për këtë vepër në kohëzgjatje prej 10 vitesh.

Plotë 10 vite pas ngritjes së kësaj aktakuze, gjykata duke aprovuar propozimin e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, kishte marrë vendim që të bëhet rikonstruktimi i vendit të ngjarjes.

Në seancën e 15 korrikut 2020 kolegji i Apelit kishte shqyrtuar ankesat ndaj aktgjykimit të janarit të vitit 2020 duke kthyer përsëri lëndën në rigjykim, ku ende vazhdoni procesi ndaj të akuzuarit Retkoceri.

4. “Enver Sekiraqa si i dyshuar për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza”

Vrasja e policit Triumf Riza që kishte ndodhur 30 gusht të vitit 2007, ishte një nga ngjarjet më të rënda të asaj kohe. Si kryerës i kësaj vrasje është shpallur fajtor Arben Berisha i cili për vrasjen e policit ishte dënuar me 35 vjet burgim, i cili dënim është bërë i formës së prerë

Mirëpo Berisha, nuk ishte personi i vetëm i akuzuar për përfshirje në vrasjen e Rizës. Pak vite më vonë ishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Enver Sekiraqës i cili dyshohet se ka shtyrë të dënuarin Berisha në vrasje të policit.

Prokuroria: Enver Sekiraqa i dyshuar kryesor për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm. Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” i cili kishte nodhur në dhjetor të vitit 2016, në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 17 maj 2016 Enver Sekiraqen e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me dënim unik prej 37 vitesh për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi, duke vlerësuar se i njëjti kishte shkelur masën e arrestin shtëpiak që i ishte caktuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Tutje, lidhur me këtë çështje, pas afro 1 viti më 12 janar 2021 kishte filluar procesi i rigjykimit ndaj Sekiraqës, i cili rast ende është në procedurë dhe pa epilog final.

5. “Vrasja e familjarit të familjes Kelmendi me të dyshuar nga familja Elshani”

Armiqësia midis dy familjeve nga Peja, Elshani dhe Kelmendi kishte bërë që në diskotekën “City Club” në Pejë më 2 janar 2010, të privohet nga jeta personi B.Sh, dhe të mbetnin të plagosur disa persona të tjerë përfshirë edhe zyrtarin policor Hasan Buqaj. Kjo kishte ndodhur natën kur Granit Elshani kishte pasur nën shënjestër të vrasjes anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin.

Prokuroria: Për motive të hakmarrjes anëtari i familjes Elshani privon nga jeta djalin e familjës Kelmendi

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Speciale më 25 nëntor 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Granit Elshanit, për të cilat akuza, Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, i kishte shqiptuar 25 vite burgim, për “Vrasje të rëndë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajte në pronësi, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve”.

Mirëpo, në tetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar këtë aktgjykim, duke kthyer rastin në shkallë të parë, ku rigjykimi në këtë rast në Gjykatën e Pejës kishte zgjatur rreth 1 vit e 7 muaj, deri në ditën kur ishte caktuar të bëhej shpallja e aktgjykimit, mirëpo kjo nuk kishte ndodhur pasi që trupi gjykues i kryesuar nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, i cili ka dalë në pension, kishte vendosur që të rihapej shqyrtimi gjyqësor për këtë rast.

Ndryshe, kjo lëndë është transferuar nga Gjykata Themelore në Pejë në Gjykatën e Gjakovës, pas kërkesës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha.

Ndërsa pas rigjykimit, më 14 mars 2022 Granit Elshani është dënuar me 24 vite burgim.

6. Vrasja në Restorant “SHEGA”

Përleshja e cila kishte ndodhur pas mesnatës së 2 majit 2014, në restorantin “Shega” në Milloshevë të Obiliqit, kishte bëre që dy persona të mbesin të vrarë e dy të tjerë të plagosur nga kjo ngjarje.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 mars 2015 kishte ngritur aktakuzë ndaj 4 personave, të cilët dyshoheshin se ishin përfshirë në këtë rast.

Prokuroria: Dy të vrarë nga rrebeshi i plumbave të shkrepur në mes të mysafirëve të “paftuar” dhe pronarëve të lokalit

Sipas aktakuzës, në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit, më 2 maj 2014, pas një mosmarrëveshjeje të çastit në mes Jeton Saraqit, Nazim Gërvallës e Lutfi Saraçit në njërën anë si dhe Besim Istrefit dhe djalit të tij, Besart Istrefi, në anën tjetër, të dy palët kishin nxjerrë armët dhe pas të shtënave kishin mbetur të vrarë N.G dhe L.S, ndërsa ishin plagosur rëndë, pronari i restorantit Besim Istrefi dhe djali i tij, Besart Istrefi, të akuzuar në këtë rast.

Në aktakuzë thuhet se e gjithë ngjarja kishte filluar kur kamerierët kishin filluar përgatitjen për mbylljen e lokalit, në të cilin i pandehuri Jeton Saraçi kishte qenë në tavolinë së bashku me Adem Dautaj dhe tani të ndjerët L.S dhe N.G ku për këtë gjë, Saraçi kishte reaguar dhe kishte filluar fjalosjen me Besart Istrefin, ku më pas kishin nxjerrë revolet dhe ia kishin drejtuar njëri-tjetrit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas telefonatës nga i biri, kishte ardhur në restorant edhe Besim Istrefi, i cili ua kishte drejtuar revolen, ku më pas kishte shtënë nëntë herë në drejtim të tani të ndjerëve Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla dhe në ato çaste, kishte filluar një shkëmbim i të shtënave me armë nga të dyja palët, ku si pasojë e këtij shkëmbimi, plagë vdekjeprurëse kishin marrë tani i ndjeri L.S dhe N.G, ndërsa Besim dhe Besart Istrefi ishin lënduar rendë.

Në këtë proces, i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve është edhe Jeton Saraçi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor të vitit 2018, e kishte shpallur fajtor për vrasje, të akuzuarin Besim Istrefin dhe e kishte dënuar me shtatë vjet burgim, kurse djali i tij, Besart Istrefi, ishte dënuar me dënim unik prej pesë vjet e katër muaj burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, i akuzuari i tretë, Jeton Saraçi, ishte liruar nga akuzat për tentim vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi, kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit e cila gjykatë në prill të vitit 2019, e ktheu çështjen në rigjykim.

Më pas, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 9 mars 2021 i kishte liruar të akuzuarit Besim dhe Besart Istrefi, për vrasje të rëndë në tentativë, me arsyetimin se këtë vepër e kanë kryer në mbrojtje të nevojshme. Kurse i akuzuari Besart Istrefi ishte dënuar me 5 vite burgim për armëmbajtje pa leje.

Nga akuza ishte liruar edhe i akuzuari për vrasje në tentativë, Jeton Saraqi, pasi që sipas gjykatës nuk është provuar se i njëjti është kryes i kësaj vepre penale, ndërsa sa i përket veprës penale të falsifikimit është marrë aktgjykim refuzues, pasi që për këtë vepër ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Ndërsa më 2 nëntor 2021 Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues që Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur ndaj të akuzuarve Besim e Besart Istrefi.

Kurse, për të akuzuarin Jeton Saraqi, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se nuk është vërtetuar se i njëjti ka shtënë me një pistoletë me ngjyrë të zezë në drejtim të Besim dhe Besart Istrefit.

Ndërsa, sa i përket për veprën penale të “falsifikimit të dokumentit”, më të cilën është ngarkuar Jeton Saraqi, kjo gjykatë ka vlerësuar se është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

7. “Vrasja për motive të hakmarrjes për probleme biznesore”

Konfliktet e mëhershme të familjes Llugaliu dhe Bunjaku rreth biznesit ka bërë që për motive të hakmarrjes tre vëllezërit Llugaliu të privojnë nga jeta anëtarin e familjes Bunjaku F.B.

Prokuroria: Mosmarrëveshjet për biznes kanë quar në vrasjen e anëtarit të familjes Bunjaku nga djemtë e familjes Llugaliu

Lidhur me këtë rast, më 5 prill 2017, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Fejard, Esat dhe Sadat Llugaliu, të cilët në natën kritike në rrugën e “Xhamisë” në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake mes të pandehurve dhe personave NN, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin F, B.

Sipas aktakuzës, Esat Llugaliu, ka shtënë në drejtim të tyre me pistoletë dhe bashkë me të kanë shtënë edhe personat NN dhe të pandehurit Fejard dhe Sadat Llugaliu që kanë dal nga vetura e tyre, kurse personat NN kanë qene të fshehur në qoshe të një ndërtese.

Për të shpëtuar nga të shtënat me armë, aktakuza thotë se Feta ka dal nga vetura dhe ka ikur, kurse, tani i ndjeri F.B është qëlluar me armë zjarri dhe në atë gjendje ka dal nga vetura, por pasi të shtënat nuk janë ndalur në vetëmbrojtje ka shtënë në drejtim të tyre dhe ka ikur drejtë shtëpisë së të dëmtuarit Halit Kika.

Për këto veprime Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë”.

Lidhur me këtë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019 kishte shpallur fajtor të akuzuarin për vrasje të rëndë, Sedat Llugaliu, ndërsa e kishte liruar nga kjo akuzë vëllain e tij, Fejard Llugaliu.

I akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte dënuar me 18 vite burgim kurse ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Fejard Llugaliu ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj, ndërsa për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari ishte liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte vërtetuar se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Të pakënaqur me këtë aktgjykim, palët kishin ushtruar ankesa në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, ndaj të akuzuarit Esat Llugaliu, është veçuar procedura, pasi në natën kur kishte ndodhur ngjarja, ai ka pësuar lëndime trupore të rënda me pasoja të përhershme për shëndetin.

Tutje, më 4 gusht 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpallur fajtor Sedat Llugaliun dhe e ka dënuar me 18 vite burgim ndërsa vëllain e tij, Fejard Llugaliun me 3 vite e gjysmë burgim për armëmbajtje pa leje.

Sedat Llugaliu është liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje ndërsa për veprën penale “vrasja e rëndë” do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 8 shkurti 2016.

Kurse, për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu është liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Kujtim Krasniqi, nuk është arritur të vërtetohet se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

8. “Vrasja e dhëndrit që para se të varrosej ishte djegur”

Konfliktet familjare kishin bërë që pas marrëveshjes paraprake vëllezërit Murat dhe Reshat Ademi, të privonin nga jeta në mënyrë mizore bashkëshortin e vajzës së tyre të axhës Resmije Bytyqi pasi që e njëjta ankohej për dhunë dhe keqtrajtim nga tani i ndjeri Abedin Bytyqi.

Prokuroria: Mosmarrëveshjet familjare shkak për vrasjen e dhëndrit

Për këtë vrasje më 6 tetor 2016 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka akuzuar vëllezërit Ademi ndërsa Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vrasje.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për mos lajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, e kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket Fetiut, ashtu që të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur.

Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, Murat Ademin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

Resmije Bytyqi, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.

I akuzuari Fadil Fetiu, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari tjetër, Reshat Ademi, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarve Ademi dhe Bytyqi, në dënim do ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 18 tetori 2016 deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, kurse të akuzuarit Fetiu, do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 18 nëntori 2016 deri më 28 qershor 2017, si dhe prej datës 20 maj 2019 e deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Ndërsa vendimin e Gjykatës së Prizrenit, pas ankesave Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim pasi që sipas Gjykatës së Apelit në arsyetim nuk janë dhënë arsyet për faktet vendimtare të çështjes dhe se nuk ka marrur parasysh vërejtjet e mbrojtësve të të akuzuarve e po ashtu ka udhëzuar që të dëgjojë edhe dy policët me të cilët kishte bashkëpunuar një i akuzuar.

Ndërsa më 24 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar Murat Ademin me 25 vite burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë”, Resmije Bytyqin me 20 vite burgim për “Shtytje në vrasje të rëndë”, Fadil Fetiun me 12 vite burgim për “Ndihmë në vrasje të rëndë”. Ndërsa, Reshat Ademi është liruar nga akuzat për “Vrasje të rëndë”.

Ndërsa, Reshat Ademi u lirua nga akuzat për veprën penale të vrasjes së rëndë, pasi që nuk u provua se i njëjti ka kryer vepër penale e cila i vihet në barrë.

9. “Vrasja e vëllait për konfliktet pronësore me bisht të sëpatës”

Për shkak të problemeve të krijuara nga kontestet pronësore më 26 prill 2019, Asllan Nikqi, me bisht të sëpatës kishte privuar nga jeta vëllain e tij Metë Nikqi.

Prokuroria: Pasi që nuk arrijnë të merren vesh për pronën, vëllau vret vllaun

Për këtë Prokuroria Themelore në Pejë, më 30 shtator 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Asllan Nikqit ku thuhet se për shkak të raporteve jo të mira mes familjeve të viktimës dhe të pandehurit të krijuara nga kontestet pronësore, i pandehuri në ditën kritike së bashku me të miturin A.N, shkojnë në bjeshkë për të marrë drunjë dhe në momentin kur marrin drunjët, duke dashur t’i largojnë trupat nga traktori, viktima e kishte njoftuar policinë për prerjen e drunjëve dhe pasi policia nuk i përgjigjet, iu del përpara të pandehurit dhe të miturit.

Sipas aktakuzës, viktima i kishte sulmuar me sëpate të pandehurin i cili arrin që t’ia marrë sëpatën nga dora dhe me bisht të sëpatës e godet viktimën në kokë dhe në pjesë tjera të trupit, ku në këtë rrahje merr pjesë edhe i mituri A.N e më pas largohen nga vendi i ngjarjes duke e lëndë viktimën në gjendje të rëndë shëndetësore.

Si pasojë e këtyre goditjeve, viktima gjendet i vdekur pas dy dite në rrugën e fshatit Reka e Allagës dhe atë në vijë ajrore prej 1,200 metra nga vendi ku ka filluar përleshja fizike, me çka i akuzuari Nikqi thuhet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Kurse, i mituri A.N. thuhet se kishte marrë pjesë në rrahje e cila ka rezultuar me vdekjen e tani viktimës Metë Nikqi, me çka ka kryer veprën penale “pjesëmarrja në rrahje”.

Më 24 gusht 2020, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale dhe atë, nga vrasja e rëndë në vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, dhe ndaj të akuzuarit kishte shqiptuar 15 vite burgim ndërsa ndaj të miturit ishte shqiptuar masa edukative e mbikëqyrjes së shtuar nga ana e prindit.

Më 27 nëntor 2020, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim pasi kishte konstatuar se vendimi ishte marrë në shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Lidhur me këtë rast ende po vazhdon procedura e rigjykimit.

10. “Borxhi që u bë shkak për vrasje”

Mosmarrëveshjet lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro kishin bërë që Kreshnik Haliti më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të privoj nga jeta të ndjerin M. Z.

Prokuroria: Mos kthimi i borxhit shkak për privimin nga jeta

Sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole.

Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vite e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, dhe gjykimi ndaj Halitit kishte vazhduar me trupin e ri gjykues, pasi ish-kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri kishte ndërruar jetë.

Nga vendimi i fundit më 2018 pas kthimit të rastit në rigjykim ende nuk është marrë një vendim nga e gjykatës së shkallës së parë dhe ende vazhdon procesi i rigjykimit. /BetimipërDrejtësi/