Partia Social Demokrate (PSD), ka zhvilluar një aktivitet, ku kanë shfaqur një pankartë të identifikimit të Albin Kurtit si veteran të luftës së UÇK-së, por që kanë shkruar ‘I rrejshëm’.
Për këtë aktivitet foli kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, i cili tha se Kurti i sheh veteranët e luftës së UÇK-së si barrë për shtetin e Kosovës.
“Në momentin që kryeministri e nis pastrimin e listave, dhe nuk e ka të qartë se sit ta bëj, kjo është për të sulmuar veteranin e vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe për të denigruar luftën e tyre”, tha Molliqaj.
“Nëse duam të flasim për veteranët e rrejshëm, veteran i parë kryesor i rrejshëm është Albin Kurti”, shtoi Molliqaj.
Molliqaj e tha këtë duke shfaqur një paragraf të kushteve për të qenë veteran, ku thuhet se duhet të figurosh si pjesë e UÇK-së deri në fund të luftës, duke pretenduar se Kurti u largua nga UÇK në mars të vitit 1999.
“Ne e ftojmë prokurorinë që të nis qysh sot hetimet e menjëhershme, për shkak se ekzistojnë dokumente se kur është angazhuar dhe kur është tërhequr nga UÇK-ja, nëse prokuroria nuk fillon hetimet sot apo nesër, atëherë ne në fillim të javës së ardhshme do të bëjmë kallxim penal ndaj kryeministrit, për falsifikimin që ka bërë në këtë proces”, u shpreh ish-anëtari i LVV-së.
“I sigurojmë të gjithë ata që duan ta përbaltosin apo denigrojnë luftën e UÇK-së, se do t’i kundërshtojmë me fakte, argumente dhe me bindjet tona të thella”, përfundoi Molliqaj.