Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar sot pamje nga puna për hapjen e Tunelit të Llogarasë në jug të vendit.
Në një njoftim në Facebook, Rama ka shtuar se janë hapur tashme 1,200 metrat e parë në tunel me një ritëm shumë të lartë pune.
Sipas Ramës, projekti nuk ka pasur ndërprerje “falë edhe një formacioni gjeologjik deri këtu tejet të favorshëm për ecurinë e punës”.
Puna për ndërtimit të Tunelit të Llogarasë nisi në nëntor të vitit të kaluar.
Tuneli po ndërtohet nga një konsorcium turk dhe pritet të kushtojë rreth 140 milionë euro.
Tuneli i Llogarasë lidh Urën e Shën Elizës me atë të Palasës me një gjatësi prej 5.9 km si dhe do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura 110 dhe 40 metra.
Tuneli pritet të jetë gati për 33 muaj nga data e fillimit të punës. Tuneli do të reduktojë kohën e udhëtimit midis zonave bregdetare të Orikumit dhe Palasës në vetëm 7 deri në 10 minuta nga 55 minuta që është aktualisht.