Komandanti i KFOR-it, Gjeneral-major Ferenc KAJÁRI në një intervistë për Telegrafin, ka folur për gjendjen e sigurisë në Kosovë, rolin e këtij misioni ushtarak për të ofruar siguri në vendin tonë dhe ka treguar detaje ekskluzive për rënien e dronit ditë më parë në rajonin e Mitrovicës.
Ai ka thënë se NATO/KFOR-i monitoron në vazhdimësi situatën në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe mund të sigurojë të gjithë qytetarët se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.
“Nuk ka asnjë tregues për ndonjë lloj kërcënimi. KFOR-i është i gatshëm të veprojë ndaj çdo lloj sfide për sigurinë”, ka deklaruar komandanti i misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë.
Komandanti Kajari, ka thënë në këtë intervistë për Telegrafin se njëri nga dronët e KFOR-it ka rënë në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, për shkak të mosfunksionimit.
Sipas tij, droni nuk ka shkaktuar ndonjë lëndim në njerëz apo dëme materiale dhe forcat policore të Kosovës e kanë marrë pas rënies së tij.
Lexo intervistën e plotë:
Telegrafi: Çfarë ka ndodhur me rastin dronit të rënë të KFOR-it në Mitrovicë?
Ferenc KAJÁRI: Njëri nga dronët e KFOR-it ka rënë në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, për shkak të mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar ndonjë lëndim në njerëz apo dëme materiale dhe forcat policore të Kosovës e kanë marrë pas rënies së tij.
Droni ynë ishte duke e bërë një mision rutinor monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it, në përputhje me rezolutën 1244 të këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, e cila mandatin KFOR-in të ofroj dhe të mbështes një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Dua të shfrytëzoj këtë mundësi të falënderoj personalisht popullatën vendase për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre, si dhe për kontaktin e menjëhershëm me autoritetet e Kosovës, duke e bërë të mundur që ne të marrim dronin dhe të minimizojmë çdo shqetësim të shkaktuar nga incidenti. Kam kërkuar që të bëhet një hetim për shkaqet e mosfunksionimit, në mënyrë që t’i nxjerrim mësimet e duhura nga ky incident.
Telegrafi: Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Kosovë?
Ferenc KAJÁRI: Situata në përgjithësi është stabile dhe misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të zbatohet në përditshmëri në të gjithë Kosovën, është në mandatin OKB-së për të siguruar, të ofroj dhe të mbështes një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Telegrafi: A ka shtim të forcave të NATO-s në Kosovë pas agresionit rus në Ukrainë?
Ferenc KAJÁRI: Prania aktuale e KFOR-it është mbi 3,700 trupa prej 28 vendeve kontribuuese (duke përfshirë anëtaret dhe partnerët e NATO-s, https://www.nato.int/nato_static_fl2014/assets/pdf/2022/3/pdf/2022-03-KFOR-Placemat.pdf
KFOR-i ka një qëndrim fleksibil, të dukshëm dhe të shkathët në teren, e cili na lejon të trajtojmë menjëherë çdo zhvillim që mund të ndikojë në situatën e sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Prezenca e KFOR-it nuk ka ndryshuar. Misioni ynë vazhdon të operojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përputhje me konceptin e përgjigjes së “parë” dhe të “dytë” respektivisht. Jam në kontakte të rregullta me një numër të gjerë të bashkëbiseduesish, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Serbisë.
Telegrafi: Çfarë bashkëpunimi keni me institucionet e Kosovës në fushën e sigurisë?
Ferenc KAJÁRI: Bashkëpunimi me institucionet e Kosovës është i shkëlqyer dhe kam marrëdhënie të ngushta me një numër të madh bashkëbiseduesish, duke përfshirë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe me Policinë e Kosovës. Ne diskutojmë rregullisht çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe koordinohemi për të ruajtur sigurinë në Kosovë.
Telegrafi: Pas situatës në Ukrainë vërehet një shqetësim tek qytetarët për sigurinë? Sa i sigurt është Ballkani Perëndimor?
Ferenc KAJÁRI: Angazhimi i NATO-s në Kosovë nuk ka ndryshuar. KFOR-i mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj misionit të tij, i cili është të kontribuojë për një mjedis të sigurt dhe stabil në Kosovë dhe të krijoj një stabilitet të gjerë në Ballkanin Perëndimor. NATO/KFOR-i monitorojnë në vazhdimësi situatën në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe mund të sigurojë të gjithë qytetarët se nuk ka arsye për tu shqetësuar. Nuk ka asnjë tregues për ndonjë lloj kërcënimi. KFOR-i është i gatshëm të veprojë ndaj çdo lloj sfide për sigurinë. Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë në KFOR mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar prej kalendarëve.