Diplomatët dhe liderët perëndimore kanë shprehur dyshime për premtimin e Rusisë që të tërheqë trupat dhe të nisë bisedimet për paqe. Sipas tyre, më shumë ky ka qenë mashtrim dhe taktikë e mundshme për të fituar kohë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se mbetet për t’u parë veprimi i ardhshëm i Rusisë. “Do të shohim. Unë nuk lexoj asgjë deri sa të shoh veprimet e tyre”, ka thënë ai.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se s’sheh se bisedimet Rusi-Ukrainë kanë avancuar në mënyrë konstruktive dhe ka shtuar se mund të jetë përpjekje e Moskës për të hequr vëmendjen nga luftimet. “Ajo që po bën Rusia është vazhdimi i brutalitetit në Ukrainë”, ka thënë ai.
John Kirby nga Pentagoni ka paralajmëruar kundër “mashtrimit të vetes” për qëndrimet e Kremlinit.
Dyshime në tërheqjen e Rusisë ka hedhur edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, edhe pse u shpreh se sheh sinjale pozitive nga takimet e së martës mes delegacioneve shtetërore, në Stamboll.
“Ukrainasit s’janë naivë”, ka thënë ai në një video-adresim të mërkurën në mëngjes.
“Sigurisht që i shohim të gjitha rreziqet dhe s’shohim arsye t’u besojmë fjalëve të përfaqësuesve të caktuar të një shtetit që vazhdon luftën për shkatërrimin tonë. Ukrainasit s’janë naivë. Tashmë kanë mësuar në këto 34 ditë të pushtimit dhe në tetë vjetët e mëhershme të luftimeve në Donbas se vetëm një rezultat konkret mund të besohet”, ka thënë ai.
Ushtria ruse ka njoftuar të martën se do të ndalë të gjitha operacionet në afërsi të kryeqytetit ukrainas dhe në veri teksa bisedimet në Stamboll kanë shtuar gjasat për marrëveshje që do t’i jepte fund luftës. Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Alexander Fomin, ka thënë se lëvizja është bërë për të ngritur besimin në bisedime pas disa raundesh të dështuara në Bjellorusi.