Fitim Uka, pritet ta lirojë poziten e deputetit.
Kjo pasi që Universiteti i Prishtinës në muajt në vazhdim do të shpall konkurs për ligjërues asistent.
Uka tha për Klankosova.tv se bazuar në ligjin aktual do ta ketë të pamundur t’i mbajë dy pozitat edhe të deputetit edhe të ligjëruesit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se po dëshiron të avancohet dhe ta jap kontributin e tij në sferën akademike.
“Brenda një muaji Universiteti i Prishtinës shpall konkurs për avancim si ligjërues në UP dhe me ligjin aktual nuk mund t’i mbajë të dyja pozitat, edhe ligjërues në institucion shtetëror edhe deputet. Para dy vitesh ka qenë një tjetër konkurs dhe kam vendosur të angazhohem më shumë si deputet, këtë vit nuk mund ta lë anash avancimin e rregullt në universitet dhe nëse ligji vazhdon të jetë i njëjtë deri në kohën kur hapet konkursi, meqë e kam të pamundur t’i mbaj të dyja pozitat, do ta zgjedh UP-në”.
Fitim Uka, e ka fituar mandatin e parë si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2019-të e më pas ka arritur ta fitojë mandatin e dytë pas zgjedhjeve të vitit 2021.
Ai njëkohësisht është ligjërues i Psikologjisë në Fakultetin Filozofik.