Gjykata e Apelit ka rikthyer në pikën zero rastin e Telekomit të Kosovës me kompaninë Dardafon (Z Mobile).
Në aktvendimin e kësaj gjykate, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik, thuhet se është aprovuar si e bazuar kërkesa e Telekomit për anulimin e vendimit të Gjykatës Themelore 2020, përmes të cilit Telekomi i detyrohej kompanisë Z -Mobile mbi 24 milionë euro.
“Aprovohet si e themeltë ankesa e të autorizuarit të debitorit “Telekomi i Kosovës” sh.a. me seli në Prishtinë, anulohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë. PPP.nr 1486/19, i datës 06.07.2020, dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në procedim të sërishëm”, thuhet në këtë aktvendim.
Mu për këtë vendim, sonte pritet që Telekomi i Kosovës të dalë me një komunikatë për media.
Shuma e plotë që Telekomi ishte e detyruar t’ia kthejë Dardafon-it, më konkretisht Z-Mobile-it, sipas vendimit të Themelores, ishte gjithsej 24 milionë e 684 mijë euro.
Kujtojmë se të njëjtin vendim, Telekomi e kishte atakuar edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, me ç’rast ishin gjetur një varg shkeljesh në vendimin e Gjykatës Themelore.
Kushtetuesja kishte pranuar kërkesën, dhe e kishte shpallur të pavlefshëm aktvendimin edhe të Gjykatës Supreme dhe asaj të Apelit.
Në aktvendimin që pritet të publikohet së shpejti, thuhet se Gjykata e Apelit, pas kthimit të çështjes në rishqyrtim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me siç citohet “shkeljet e parimit për barazinë e armëve të palëve në procedurë për shkak të mosdhënies së mundësisë palës debitore (Telekomit) që të deklarohet sa i përket precizimit të borxhit”, Gjykata ankimore ka vlerësuar se nuk ka mundësi të vendosjes ndyshe nga dispozitivi i këtij aktvendimi, prandaj ka vendosur që vendimi i datës 06.07.2020 të anulohet dhe çështja të kthehet në procedim në gjykatën e shkallës së parë.
Ndryshe, edhe Buletini Ekonomik më herët pati raportuar se “një padi voluminoze e Telekomit e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ngre pretendime për fryrje të borxhit në rastin “Z-Mobile”, duke paralajmëruar se kjo padi do të mund ta kthente rastin në pikën zero. Shuma e kontestuar në këtë rast ishte 6.3 milionë euro, prej 26 milionëve sa ishte borxhi në total.
Në padi atakohej vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, e cila ia njihte Z-Mobile-it të drejtën në borxhin 26 milionësh.
Në arsyetimin e kërkesës për padi, zyrtarët e Telekomit pretendojnë se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk ua ka dhanë mundësinë që t’i parashtrojnë pretendimet e tyre.
“Meqenëse Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që lidhur me Prapësimin e Telekomit të mbanë shqyrtim gjyqësor, në momentin kur Dardafoni ende pa përfunduar shqyrtimi gjyqësor, ndryshoi propozimin, vlerën e propozimit dhe parashtroj prova të reja të cilat nuk i kishte parashtruar deri atëherë, Gjykata ka qenë e obliguar ta caktojë shqyrtimin e ri me qëllim që Telekomit t’i jepet mundësia të deklarohet rreth këtyre çështjeve dhe rrethanave të ndryshuara”, thuhej në padi.
Në kundërshtim me detyrimin ligjor, sipas padisë, gjykata e shkallës së parë fare nuk e kishte caktuar shqyrtimin e radhës duke ia mohuar Telekomit, në këtë mënyrë, të drejtën e garantuar ligjore për t’u deklaruar lidhur me propozimin e ndryshuar, vlerën e ndryshuar dhe provat e reja.
“Këto shkelje të procedurës përmbarimore ishin edhe ndër pretendimet kryesore të Telekomit në ankesën e dorëzuar me datën 10.07.2020. Duke vendosur sipas ankesës, Gjykata e Apelit nxjerri aktvendimin Ac.nr. 3610/20 të datës 08.10.2020 me të cilin, as që i kishte trajtuar, e lëre më vlerësuar këto pretendime ankimore”, theksohej tutje në padi.
Ndërsa, në shqyrtimin e mbajtur më datë 22 qershor 2020, lidhur me validitetin e Prapësimit të Debitorit (Telekomit), Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë konkluzionin me të cilin e kishte detyruar kreditorin që brenda afatit prej 3 ditësh, ta dorëzojë Parashtresën për precizimin e propozimit për përmbarim.
Këtë Parashtresë, Kreditori (Dardafon) e kishte dorëzuar më datë 29 qershor 2020, të cilën Debitori (Telekomi i Kosovës) e kishte pranuar me datën 6 korrik 2020. /Buletini Ekonomik/