Shefi i Shtetit ende s’e ka nënshkruar dekretin me të cilin do ta nominonte Avdullah Hotin për Shef të Qeverisë së re. Krejt kjo për shkak se LDK ende s’e ka dërguar emrin pavarësisht se kërkesa ka shkuar në Zyrën e Isa Mustafës.
Të enjten e kaluar, Hashim Thaçi si Shef i Shtetit, e ka nisur një letër në drejtim të Isa Mustafës ku i kërkon emrin e kandidatit për Kryeministër. Letra s’është bërë publike ende ndërsa Zyra e Presidentit vetëm ka konfirmuar kërkesën e Thaçit në drejtim të Kryetarit të LDK-së.
Ndërkohë, LDK ende s’e ka dërguar emrin në Presidencë për të marrë pastaj dekretin e Presidentit për nominimin e Avdullah Hotit për Shef të Qeverisë së re.
Lëvizja Vetëvendosje po kërkon ta shohë letrën për të bërë gati kërkesën për mbrojtje të kushtetutshmërisë pasi Presidenti të vendos që t’ia japë mandatin partisë së dytë.
Mirëpo, në Presidencë dhe as në LDK nuk e kanë dhënë letrën e Thaçit që i është drejtuar Mustafës.
Megjithëkëtë, Lëvizja Vetëvendosje do të mund ta dërgojë lëndën në Gjykatë Kushtetuese vetëm pasi të nënshkruhet dekreti i Presidentit për mandatarin e Qeverisë së re të cilën po pritet të themelojë LDK me AAK’në, NISMA’n dhe minoritetet.
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se nëse lënda e formimit të Qeverisë përfundon në Gjykatë, atëherë, do të presin vendimin e pastaj të formojnë Qeverinë.
“Sipas bindjeve të mia nuk ka shkelje të Kushtetutës. Nuk ka rast në gjykatë pa ndodhur, pa pasur arsye. Nëse Vetëvendosja apo Presidenti i Republikës e dërgon lendën në Gjykatën Kushtetuese, ne presim”, deklaroi nënkryetari i LDK-së”, ka thënë Haziri.
Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar të dërgojë emrin për shef të ri të Qeverisë pas shkarkimit të Albin Kurtit nga pozita e Kryeministrit me votat e 2/3 të deputetëve.
Shefi i Vetëvendosjes ka insistuar të shkohet në zgjedhje dhe të mbetet në pozitën e Kryeministrit derisa të kalojë pandemia.
Shefi i Qeverisë së shkarkuar ka thënë se Parlamenti duhet të shpërndahet ndërsa Presidenti duhet vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve.
Enver Hasani, profesor i juridikut dhe ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se Parlamenti i Kosovës mund të votojë Qeveri të re sa herë të ketë vullnet politik. Por, ka thënë se procedura e paraparë me Kushtetutë parasheh që së pari mandati t’i jepet fituesit e pastaj atij që s’e dërgon vendin në zgjedhje.
“Prandaj neni 95 i rregullon të gjitha situatat e mundshme dhe është komandues i procesit të formimit të qeverisë. Për rastin konkret në të cilin gjendet vendi, vlen neni 95.5 i Kushtetutës. Asnjëherë ndonjë nen tjetër. Kjo sepse, brenda një mandati zgjedhor, një Kuvend mund të formoj tri, katër, pesë apo më shumë qeveri, gjithnjë duke pasur në krye të valles fituesin e zgjedhjeve”, ka thënë Hasani, para disa ditësh kur është pyetur për procedurën kushtetuese të formimit të Qeverisë.
Ai e ka shpjeguar se Qeveria dhe as Kryeministri s’mund ta diktojnë punën e Parlamentit prandaj edhe s’mund të shkohet në zgjedhje vetëm pse dëshiron një subjekt politik pa pasur konsensus më të madh.
“ Çdo shkuarje në zgjedhje pas rrëzimit të qeverisë po ashtu paraqet ndryshim të sistemit kushtetues duke e bërë sistemin parlamentar të varur në tërësi nga ekzekutivi, jo anasjelltas. Prandaj neni 82.2 mund të aktivizohet vetëm nëse ka vullnet të plotë në mes të krejt forcave politike për t’u vetëshpërndar dhe për të shkuar në zgjedhje. Neni 95.5 komandon formimin e ekzekutivit, asnjë nen tjetër, çdoherë deri të vendoset me konsensus për të shkuar në zgjedhje. Kjo ka qenë kështu në të gjitha rastet që nga mbarimi i luftës e deri më sot sepse çdoherë me konsensus dhe pa asnjë kundërshtim është shkuar në zgjedhje”, ka shtuar ai.
Albin Kurti u shkarkua nga pozita e Kryeministri pa i mbushur dy muaj me një mocion të nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kurti fillimisht s’kishte pranuar kërkesën e LDK’së që të hiqej taksa dhe të mos vendosej reciprociteti me Serbinë dhe pastaj shkarkoi Agim Veliun nga pozita e Ministrit të Brendshëm me çka i dha edhe fund qëndrimit në krye të Qeverisë.
Presidenti ka paralajmëruar javën e kaluar se shpejt do të ketë hapa për formimin e Qeverisëdhe heqjen e reciprocitetit me Serbinë për të filluar dialogun me Serbinë. Menjëherë kishte reaguar ambasadori Richard Grenell, duke i dhënë mbështetje kësaj nisme.
Pas kësaj, ka pasur paralajmërime nga VV se do të ketë rezistencë për të mos lejuar largimin e Kurtit nga karrika e Kryeministrit.