Më shumë se gjysma e botës është “ngujuar” në shtëpi për shkak të pandemisë globale që është zyrtarizuar që në mars nga Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH) dhe mbi 2 milionë janë prekur nga Covid-19.
Veç kësaj, edhe mbi 200 mijë të vdekur. Bilanc lufte, natyrisht, por që nuk ndikon që futbolli të mos vazhdojë në 5 kampionate! Në fakt, Tajvani, Bjellorusia, Nikaragua, Turkmenistani dhe Taxhikistani janë duke luajtur rregullisht.
Disa me dyer të mbyllura, si Turkmenistani, Nikaragua, Tajvani dhe Taxhikistani, por dikush me dyer të hapura dhe publik, si Bjellorusia.
Kështu, fundjava i takon këtyre 5 ligave. Në Tajvan luajtën javën e 3-të të kampionatit, teksa ekipi kampion dhe për t’u mundur mbetet Taipei Tatung dhe sfidanti i përhershëm Taipower.
Në Bjellorusi, tre skuadra janë në krye deri tani pas 5 javësh me 10 pikë! Slutsk, Torpedo-BalAZ dhe Vitebsk, ndërsa në Taxhikistan sigurisht që skuadra më e famshme dhe e fortë është Istiqlol, e cila është një farë “Juventus” në Itali! Jo vetëm që ka mbledhur më të mirët e kombëtares, por ka edhe superbuxhet.
Në Turkmenistan, gjithashtu, dominimi mban emrin Altyn. Ka vite që fiton kampionatin me lehtësi. Prej disa vitesh e rivalizon vetëm Ahal, që këtë vit e ka nisur mirë, kryeson pa pësuar gol. Ndoshta është viti i përmbysjes së madhe…
Së fundmi, Nikaragua, ku po zhvillohet faza playoff për titullin kampion.