Abdixhiku ngushëllon familjen e Haki Rugovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ngushëlluar familjen Rugova, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, njëherësh edhe ish-kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova

Abdixhiku ka thënë se Rugova ishte një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke dhënë shembullin e përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës.

“Ai gjatë gjithë jetës u angazhua pandalshëm në proceset e vështira nëpër të cilat kaloi Kosova. Për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike dhe do të mbetet model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

“Haki Rugova u nda fizikisht nga ne, por vepra e tij do të kujtohet përjetësisht. Ndarja nga jeta e tij lë një zbrazëtirë të madhe jo vetëm për familjen, po edhe për gjithë qytetarët e Istogut dhe gjithë Kosovës, ndërsa LDK-ja humbi veprimtarin e madh të saj”.

“Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës u shpreh ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve, qytetarëve të Istogut dhe të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.