Ukraina arrin në Bjellorusi për rundin e tretë të bisedimeve me Rusinë

Delegacioni i Ukrainës ka arritur në Bjellorusi për rundin e tretë të bisedimeve, raportojnë agjencitë lokale të lajmeve, transmeton BBC.

Pas dy rundeve negocimesh pa rezultate, sot fokusi i bisedimeve do të jetë te korridoret humanitare, për të lejuar civilët ukrainas të shpëtojnë nga veprimet ushtarake, derisa bombardimet ruse nëpër qendra të qyteteve vazhdojnë nga jugu deri në lindje të vendit.

Përpjekjet e mëparshme për të krijuar korridore humanitare të shtunën nuk funksionuan për shkak se armëpushimi dështoi.

Gjatë së dielës, një propozim i ri nga Rusia u cilësua “i papranueshëm” nga zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, pasi u bë e qartë se njerëzve që ikin nga Kievi do t’u ofrohet kalim i sigurt në aleatin e Rusisë, Bjellorusi, ndërsa ata në Kharkiv do të kenë një korridor që të çon vetëm në Rusi.

Nga katër qytetet e përmendura, vetëm ato më të voglat – Mariupol dhe Sumy – kanë rrugë evakuimi që të çojnë në pjesë të tjera të Ukrainës.