Fjalimi i fuqishëm i Bidenit: Putini s’ka ide se çka po e pret

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka thënë Kongresit Amerikan se Vladimir Putini ka gjykuar gabimisht se si Perëndimi do ta godasë sapo që nis pushtimin e Ukrainës.

Në fjalimin e tij të përvitshëm, Bideni është zotuar “me vendosmëri të palëkundur që liria do të triumfojë përgjithmonë mbi tiraninë”.

Demokratët dhe Republikanët përkrahën fjalimin e tij dhe ofruan mbështetje për Ukrainën duke u ngritur në këmbë për të duartrokitur.

Në fjalimin e tij, Bideni ka thënë se lufta e nisur nga presidenti rus ka qenë e pamenduar dhe e paprovokuar.

“Ai ka menduar se Perëndimi dhe NATO-ja s’do të përgjigjen. Dhe ka menduar të na ndajë neve. Por Putini ishte gabim. Ne ishim të gatshëm”, ka thënë Bideni.

Bideni njoftoi se SHBA-ja do të ndalojë fluturimin e aeroplanëve rusë në hapësirën ajrore amerikane.

Për sanksionet që e presin në të ardhmen Rusinë, Bideni u shpreh ashpër duke paralajmëruar Putinin: “Ai nuk ka ide se çka po e pret”.

Fjalimi i përvitshëm i presidentit amerikan vjen në një kohë kur vetëm 40.6 për qind e amerikanëve janë të lumtur me performancën e Bidenit.