Krerë të ndryshëm institucionalë të vendit kanë kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj janë disa nga emrat që po e kërkojnë me ngulm anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin turk TRT, ka thënë se NATO-ja duhet ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit për Kosovën dhe Bosnjën në vazhdën e krizës në Ukrainë.
“NATO duhet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit për Kosovën dhe Bosnjën në vazhdën e krizës në Ukrainë”, ka thënë Osmani.
Një zyrtar i NATO-s në një përgjigje ekskluzive për Klankosova.tv thotë se angazhimi i NATO-s në Kosovë nuk ka ndryshuar dhe se çdo ndryshim në qëndrimin e KFOR-it mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga kalendarët.
“Angazhimi i NATO-s në Kosovë nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi të përkushtuar përmes Forcës së Kosovës (KFOR) të udhëhequr nga NATO dhe të mandatuar nga OKB-ja, e cila kontribuon për një mjedis të sigurt dhe për një stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Përveç KFOR-it, NATO – përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s – vazhdon të kryejë aktivitete për ngritjen e kapaciteteve në mbështetje të organizatave të sigurisë së Kosovës brenda mandatit të tyre fillestar. Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë në KFOR mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga kalendarët”, thotë zyrtari për Klankosova.tv.
I njëjti thotë se kriteret për anëtarësimin në NATO janë të përfshira në Nenin 10 të Traktatit të Washingtonit.
“Palët, me marrëveshje unanime, mund të ftojnë çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut për të aderuar në këtë Traktat. Çdo shtet i ftuar në këtë mënyrë mund të bëhet Palë në Traktat duke depozituar instrumentin e tij të aderimit në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të informojë secilën nga Palët për depozitimin e çdo instrumenti të tillë aderimi”, tha ai.
Po ashtu i njëjti zyrtar nuk ka treguar se kur pritet të ketë ndonjë vendim rreth kësaj çështje dhe se a është në koha duhur për këtë kërkesë nga përshkallëzimi i pushtimit rus në Ukrainë.