Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të dëshmojë se është në anën e Ukrainës, teksa ky shtet lufton me Rusinë.
Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pas kërkesës zyrtare që Ukraina t’i bashkohet bllokut evropian.
“Bashkimi Evropian do të jetë shumë i fuqishëm me ne, kjo është e sigurt. Pa ju, Ukraina do të jetë e vetme”, ka thënë Zelensky para Parlamentit Evropian përmes video-lidhjes.
“Dëshmojeni që jeni me ne. Dëshmojeni që nuk do të na lini. Dëshmojeni se jeni evropianë dhe që jeta do të fitojë ndaj vdekjes dhe drita do të fitojë ndaj errësirës. Lavdi Ukrainës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se ajo çfarë po ndodh në shtetin e tij është tragjedi dhe se ukrainasit janë duke luftuar për tokën e tyre, lirinë dhe jetët.
“Askush nuk do të na thyejë, sepse ne jemi ukrainas”.
Presidenti ukrainas ka thënë se Rusia ka shënjestruar edhe fëmijë dhe 16 kanë vdekur vetëm një ditë më parë.
Harkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë është goditur me raketa të martën dhe autoritetet kanë raportuar për viktima dhe dëme të mëdha.
Sulmet me raketa kanë rritur shqetësimet se komandantët e zemëruar rusë mund t’iu kthehen taktikave edhe më shkatërruese.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Çarmatim në Zvicër se është koha që armët bërthamore amerikane që gjenden në Evropë, të nisen në shtëpi.
Në një fjalim të incizuar paraprakisht, ai ka thënë se Rusia është e gatshme të bisedojë për stabilitetin strategjik me Shtetet Bashkuara, mirëpo ka paralajmëruar se Perëndimi nuk duhet të dërgojë objekte ushtarake në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Ai po ashtu ka ofruar një arsyetim të ri për pushtimin rus në Ukrainë – për të parandaluar Ukrainën nga grumbullimi i armëve bërthamore.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.