Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh sot se në kuadër të programit të rindërtimit vendi ka nevojë për krah pune të kualifikuar, ndërsa theksoi se “qeveria do të imponojë që kompanitë e ndërtimit të vendosin një pagë për të gjithë ata që do të përfshihen në procesin e rindërtimit të barabartë me pagën mesatare në Shqipëri, 420 euro”.
“Ne do të negociojmë me kompanitë dhe do të pranojmë të ulemi vetëm në ato raste që do të jetë e arsyetuar ulja. Nuk do të pranojmë që të paguajnë pagë minimale, paga do të jetë e imponuar nga qeveria rreth pagës mesatare që është sot në Republikën e Shqipërisë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “kemi filluar të angazhojmë një grup prej 300 nxënësish të shkollave profesionale të viteve të 3-ta dhe të 4-ta, të lidhur me fushën e ndërtimit dhe po fillojmë trajnimet e tyre që t’i japim mundësi të përfshihen në punën për rindërtimin dhe të fitojnë një eksperiencë të drejtpërdrejtë në kantieret e ndërtimit. Ministri për Rindërtimin do të publikojë një thirrje të hapur për të gjithë ata që kanë njohuri në të gjitha proceset e ndërtimit dhe duan punë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “sado absurde që të duket është fakt se një nga sfidat më të mëdha të këtij procesi është nevoja e madhe për punonjës”.
“Ky proces do të hapi shumë vende pune që kërkojnë punonjës me një kualifikim të caktuar në të gjitha proceset e ndërtimit. Jemi të përgatitur të kryejmë trajnime për të gjithë ata që kanë nevojë. Kemi nevojë për punë me krah të kualifikuar. Por falë ligjit që kemi kaluar në këtë parlament, ne do të hapim kufijtë edhe për punonjësit e huaj. Kanë qenë të hapur por kanë pasur procedura të tmerrshme burokratike, tani do t’i japim mundësi kompanive të kontraktojnë punonjës të huaj në rast se nuk plotësohen me punonjës vendas”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “kjo është një sfidë e madhe e gjithë rajonit dhe Europës Lindore, por në këtë sfidë ne kemi mundësinë e avantazhit me një procedurë të lehtësuar në 7 ditë për marrjen e punonjësve nga jashtë”.