Rusia suspendohet nga të gjitha garat e futbollit


Të gjitha klubet dhe përfaqësueset e Rusisë në futboll janë suspenduar nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s deri në një vendim tjetër. Vendimi që pritet të jetë goditje e madhe për futbollin rus, është publikuar të hënën mbrëma. Vendimi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit dhe Konfederatës Evropiane erdhi pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar rekomandoi largimin e sportistëve të Rusisë dhe Bjellorusisë nga garat ndërkombëtare.

“Pas vendimeve fillestare të miratuara nga Këshilli i FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, të cilat parashikonin miratimin e masave shtesë, FIFA dhe UEFA të hënën kanë vendosur që të gjitha ekipet ruse, qofshin ato kombëtare apo klube, të pezullohen nga garat e FIFA dhe UEFA-s deri në një njoftim tjetër”, thuhet në komunikatën e përbashkët të FIFA-s dhe të UEFA-s. Kjo nënkupton se Rusia do të largohet nga plejofi për kualifikim në Botërorin 2022. Më 24 mars, Rusia është dashur të takohet në gjysmëfinale të plejofit me Poloninë. “Futbolli është plotësisht i bashkuar dhe në solidaritet të plotë me të gjithë njerëzit e prekur në Ukrainë. FIFA dhe UEFA shpresojnë që situata në Ukraina do të përmirësohet ndjeshëm dhe shpejtë, në mënyrë që futbolli të jetë sërish simbol i unitetit dhe paqes mes njerëzve”, thuhet tutje në komunikatë. FIFA të dielën kishte vendosur që përfaqësuesja ruse të mbetet në gara, por të luaj në territor neutral dhe pa himn e flamur. Po ashtu ekipi i Rusisë, sipas atij vendimi, do të paraqitej me emrin Federata e Futbollit e Rusisë. Por me vendimin e ri, përfaqësueset dhe ekipet ruse do të mbesin jashtë garave. Në Ligën e Evropës është dashur të luaj Spartaku i Moskës.