Presidentja Osmani takon partitë opozitare, i informon për sigurinë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në takime të ndara ka pritur kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku dhe nënkryetarin e AAK-së, Muharrem Nitajn.

Siç bëhet e ditur nga Presidenca, në këto takime, presidentja Osmani i ka informuar përfaqësuesit e partive politike për situatën aktuale të sigurisë në vend pas zhvillimeve të fundit të krijuara nga agresioni i Federatës së Rusisë ndaj Ukrainës.

Ajo po ashtu i informoi partitë opozitare për masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës, veçanërisht ato të sigurisë si dhe për koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë.

Presidentja ka falënderuar partitë opozitare për bashkëpunimin si dhe për qëndrimin e unifikuar në përballje me situatën e krijuar.