Felix Magath ka konfirmuar negociatat me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) për ta marrë drejtimin e “Dardanëve”, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Ai gjithashtu ka thënë se është i gatshëm t’i kthehet punës së trajnerit pas një pushimi prej gati pesë vjetësh.
Trajneri 68-vjeçar ka lënë çdo opsion të hapur, përfshirë edhe kthimin në Kinë, vend ku punoi për herën e fundit. Ai gjatë sezonit 2016/17 ishte në krye të skuadrës Shandong Luneng, me të cilën përfundoi në pozitën e gjashtë. Magath ishte njëri prej kandidatëve kryesorë për ta marrë drejtimin e Kosovës që është pa përzgjedhës prej vitit të shkuar kur u largua Bernard Challandes.
Në FFK, kanë thënë se emri i përzgjedhësit të ri do të bëhet i ditur së shpejti. Ndërsa, krahas Magathit janë përmendur edhe emra të tjerë që kanë shprehur interesim për ta marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës. “Dardanët” muajin e ardhshëm do t’i luajnë dy ndeshje miqësore. Më 24 mars në Prishtinë do të përballen me Burkina Fason, përpara se të luajnë në Zuerich ndaj Zvicrës më 29 mars.
“Kam biseduar me përfaqësuesit e Kosovës. Aty punojnë njerëz të përkushtuar. Unë gjithashtu do të shkoja përsëri në Kinë”, ka thënë Magath të hënën në një intervistë për revistën “Kicker”, transmeton KOHA.
Magath ka insistuar se karriera e tij si trajner ende nuk ka marrë fund pasi insiston se futbolli është gjëja e vetme me të cilën është marrë gjatë jetës së tij. Ai insiston se ka përvojë të madh dhe e njeh futbollin shumë mirë, për shkak se ka luajtur dhe ka punuar në pozita të ndryshme nëpër klube.
“Kam përjetuar gjithçka dhe kam një përvojë të madhe si askush tjetër. Unë e di se si funksionon futbolli, sepse kam luajtur në të gjitha ligat dhe kam punuar në klube e pozita të ndryshme. Unë e di se çfarë mund të bëj dhe se jam ende në gjendje t’i ndihmoj klubet profesionale”, ka thënë Magath. “100 vjet më parë dukeshe i vdekur në moshën 68-vjeçare. Sot është ndryshe. Unë ende mund të them diçka, qoftë në ligën e parë apo të tretë”.
Magath, i cili ka punuar edhe si zyrtar klubi, insiston se puna e tij e ardhshme do të jetë ajo e trajnerit. Ai sukseset e mëdha i ka arritur me Bayern Muenchenin, ekip me të cilin ka fituar pesë trofe, përfshirë dy tituj kampioni të Gjermanisë. Titullin në Bundesligë, Magath e ka fituar edhe me skuadrën e Wolfsrbugut, ndërsa në tri raste është zgjedhur trajneri më i mirë i vitit në Gjermani (2003, 2005, 2009).
“Pozita e trajnerit është ajo në të cilën mund të kontribuoj më së shumti. Si lojtar, u largova para se të largohesha nga fusha. Unë i di limitet e mia si trajner, por e di që jam në gjendje t’i ndihmoj skuadrat”, ka insistuar Magath.
Magath në vitin 1995 e ka nisur punën e trajnerit, ndërsa gjatë karrierës ka drejtuar edhe skuadrat, si Hamburgu, Nuernbergu, Werder Bremeni, Eintracht Frankfurti, Stuttgarti, Schalke e Fulhami.