Opozita ka kritikuar Qeverinë Kurti për jotransparencë në raport për procesin e dialogut, e po ashtu edhe për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë, tha se në seancën e radhës do të të diskutohet projektligji mbi vlerën e shtuar, për të cilin projektligj ai tha se, është nisë si ide e iniciativë e Bedri Hamzës.
Tahiri po ashtu ka folur edhe për çështjen e energjisë, ku tha se si grup parlamentar kanë hapur debatin për këtë çështje ende pa u marrë vendimi nga ZRRE për shtrenjtimin e energjisë, ku edhe kanë kërkuar që rritja e çmimit të energjisë të mos ndodhë.
“Ne kemi kërkuar që ky vendim të anulohet dhe në të njëjtën kohë kemi kërkuar nga Qeveria që të gjejë zgjidhje më të përshtatshme”, tha Tahiri.
Përveç rritjes së çmimit të energjisë, Tahiri adresoi edhe rritjen e çmimeve të produkteve të ndryshme, duke filluar nga ato esenciale e për të vazhduar edhe me tjerat, duke thënë se jeta në Kosovë po bëhet e papërballueshme.
Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka bërë të ditur se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Se çfarë bën një parti opozitare, ne e kemi bërë. Kemi adresuar çështje që mendojmë se janë të rëndësishme. Ky çmim është i pakapshëm për qytetarët e Kosovës dhe ne do t’i shfrytëzojmë mekanizmat, e një prej tyre është edhe adresimi tek Gjykata Kushtetuese.”, tha ai.