Qarkullim i kombi-busëve ilegalë në relacionet Mitrovicë – Prishtinë dhe Vushtrri – Prishtinë do të ndalohet, kanë paralajmëruar nga Komuna e Mitrovicës, në një takim që patën me zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Policisë.
“Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Valon Brahimi, dhe drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Granit Tmava, sot kanë pritur në takim këshilltarë të ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, zyrtarë policor të Trafikut Rrugor, si dhe drejtoreshën e Inspekcionit në Komunën e Vushtrrisë, Shqiponje Hajdari Mikushnica. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, dhe përfaqësues nga transporti rrugor ndër urban të udhëtarëve në Mitrovicë. Arsyeja e këtij takimi ishte ndërmarrja e masave për ndalimin e qarkullimit të kombi-busëve në relacionin Mitrovicë – Prishtinë dhe Vushtrri – Prishtinë, si dhe anasjelltas”, thuhet në komunikatën e Komunës së Mitrovicës.
Sipas njoftimit, nga ky takim u dakordua që të fillojë zbatimi i masave për ndalimin e qarkullimit të kombi-busëve.
Takim i radhës do të mbahet pas një muaji për të shikuar rezultatet konkrete në këtë drejtim.