Presidenti i Kosovës do të ketë pagën më të lartë në vend, ndër funksionarët publikë, bazuar në draftin që ka përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme, për Ligjin e Pagve. Edhe pse s’është caktuar vlera e koeficientit, në listën e siguruar nga KOHA, presidenti ka vlerën më të lartë të koeficientit, 20.
Kryetari i Kuvendit dhe kryeministri pasojnë listën me koeficient 19. Bashkë me ta është edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese në vlerë të njëjtë.
Nënkryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri dhe zëvendëskryetari i Kushteuteses kanë koeficient 17, ndërsa deputeti, ministri e gjyqtari i Kushtetueses me koeficient 16.
Ligji për Paga pritet të shkojë në Kuvend nga Qeveria në muajin mars. Ende pa u bërë publik, ndaj tij ka pasur reagime e kundërshtime nga disa sindikata që i kanë vlerësuar të padrejtë koeficientet për ta.
Në sistemin gjyqësor, kryetari i Gjykatës Supreme do të ketë koeficient 18.5. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor koeficient 18. Në këtë sektor, paga më e ulët do të jetë ajo e bashkëpunëtorit profesional të Gjykatës Themelore me koeficient 6.6.
Në sistemin prokurorial, kryeprokurori parashihet të ketë pagë me koeficient 18.5. Kryesuesi i Këshillit Prokurorial 18, ndërsa edhe këtu paga më e ulët do të jetë me koeficientin 6.6 te bashkëpunëtori profesional i Prokurorisë Themelore.